Flamur Hoxha: Kundër primareve jashtë anëtarësisë.

Intervista Politike

Deputeti demokrat Flamur Hoxha është i mendimit se në fushatën për zgjedhjet lokale, Partia Demokratike duhet të dilte me një kandidat që të ishte fitues për të marrë pushtetin lokal.

Ai tha nga studio e MCN Live, se beteja nuk është për Partinë Demokratike, ndasinë apo dy grupimet që tashmë është fakt dhe se nëse nuk e pranohet ndasia, nuk ka sinqeritet me elektoratin.

Sipas tij, pushteti lokal ka nevojë për demokratët, pavarësisht nëse janë pjesë e Rithemelimit apo grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Hoxha deklaroi se do të duhet kohë që të arrihet në bashkim faktik por edhe ligjor të PD, ndaj kërkoi që në tryezën e dy të mandaturave të dy grupimeve për negociatat, të bëhet transparencë dhe të dëgjohen mendimet e secilit, për të kontribuar gjithsecili në atë qark ku është mandatuar, që ti jepet fitorja Partisë Demokratike.

Pavarësisht se ekziston problemi i grupimeve, në këto zgjedhje lokale duhet të shkojmë si një trup. Ne kemi pranuar dhe duam një bashkëpunim pa kushte, se bëhet fjalë për individë që fitojnë mandatin e kryebashkiakut.

Ne jemi për bazën, nëse bëj çdo gjë individuale pa marrë në konsideratë bazën, unë jam i dështuar. Nëse ti bën primare të njëanshme pa pyetur një pjesë të bazës që sot nuk është e bashkuar, çfarë primaresh ke bërë.

Baza është e 25 prillit, baza e PD është ajo që punoi bashkërisht në 25 prill për të fituar zgjedhjet e 2021-it. Nëse marrim parasysh këtë bazë, mund t’ia dalim. Nuk duhet ta trajtojmë veten pakicë apo shumicë, sepse ne kemi nevojë për çdo votë.

Formula është e thjeshtë do të bësh primare, duhet të ulesh si grup parlamentar, jo unë vendos, kjo është zgjidhja, po ku na çon? Elektorati nuk është që duhet të tërhiqet dhe shkojë me detyrim tek një pjesë tjetër.

Është fakt që PD është e ndarë. Primaret bëhen me anëtarësinë e cila ka qenë e bashkuar. Modeli, a është modeli i duhur që nxjerr fitues në çdo bashki? Primaret nga çfarë është trajtuar në historinë e PD, nuk prodhojnë fitues, por çojnë drejt përçarjes së atij grupimi që do i bëj ato primare.

Primaret bëjnë një lojë që i fut në konflikt palët, këtë merak kam unë. Nëse prodhon element fitues, jam dakord që t’i bëjmë primaret. Mund të bësh primare kur ke dy grupime në PD dhe të prodhosh një rezultat pozitiv?

Duhet të ulemi të gjithë bashkë dhe jo duke e konsideruar njërën pjesë si pakicë dhe tjetrën si shumicë. Pa marrë ende përgjigje nga pala tjetër grupi i Rithemelimit vijoi me procesin e primareve.

Nuk dëgjova askënd nga Rithemelimi, prit të shqyrtojmë kërkesën e grupit të PD, të sinqertë për bashkëpunim. Ne jemi të gjithë unison që të bëjmë fushatë për një kandidat, i cili t’i japë bashkinë PD.

Ne duhet të bindemi dhe pranojmë se duhet të bëhemi bashkë. Duhet të lëmë mënjanë ndasitë dhe të dalim mbi veten, për të mbështetur elementë me integritet.

Hoxha shtoi se sot ka dy struktura të Partisë Demokratike dhe dy grupime dhe për rrjedhojë nuk mund të anashkalohen bazat, dy elektoratet dhe gjithë përbërësit e grupimeve dhe të mos bëhen bashkë.

Jam për primare për anëtarësi, jo jashtë anëtarësisë, se nëse dalim jashtë anëtarësisë do krijojmë një garë joreale ku do ketë elementë që nuk do jenë ata që duhen mbështetur.

Mendoj se ne duhet të përfitojmë çdo ditë për të bashkërenduar bashkëpunimin brenda PD. Duke u ndarë nga çdo degë, në çdo qark.

Nëse i bëjmë bashkë do transmetojmë tek elektorati gri për të votuar kandidatët tanë. Ndërkohë që Rilindja ka pushtet absolut.

I pyetur lidhur me rolin e Lulzim Bashës në zgjedhje, Hoxha përmendi atë të kryetarit të dorëhequr që si deputet, duhet të bëjë fushatën e tij.

Në këtë drejtim shtoi se politika nuk është pushkatim i individit, secili nga ne në vlerë absolute mund të ketë dhe ka mbështetësit e tij dhe këtu duhen përfshirë të gjithë.

Nuk bëhet fushatë duke shpallur armikun brenda partisë, por duhet bashkëpunuar për të fituar zgjedhjet. Efektet mund të jenë brenda palëve të PD, brenda rrymave të ndryshme.

Unë nuk nisem në betejë duke sulmuar atë që kam në krahë. Fakti që Basha ka qenë 8 vite kryetar i partisë dhe që kam vlerësuar dorëheqjen e tij, gjykoj se ne nuk duhet ta anatemojmë dikë dhe të ulemi prapë.

Nuk akuzoj dot askënd si të shitur dhe të ulem dhe të them që nuk është më i shitur. Do të kërkoja që të mbështesin ndryshimin.

Aleanca me Ilir Metën nuk është parë mirë. Fola për një bashkëpunim duke përfshirë çdo aleat të mundshëm. Nuk mund të shkojmë në fushatë pa partinë opozitare të Ilir Metës.

Janë në opozitë dhe ne duhet të bashkojmë forcat me çdo opozitar. Baza për emergjencë për të fituar zgjedhjet, pranon çdo aleat të mundshëm që sjell vota dhe frymë.

Pas zgjedhjeve mund të ketë shumë bashkëpunime. Mua më intereson të vijë PD dhje të ikë Rilindja./ MCNTV/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?