Ambasada e SHBA ndryshon postimin

Aktualitet

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me gjyqtarët e posaçëm në ambientet e GJKKO. Fillimisht selia diplomatike në Tiranë ka zbardhur takimin duke shpërndarë dhe një fjalë të ambasadores Kim, por më pas ky mesazh është ndryshuar.

Duke qenë se editimi i një postimi në rrjetin social Facebook mund të ndryshohet por historiku mbetet, shihet se faqja zyrtare e Ambasadës Amerikane në Tiranë ka vendosur një mesazh tjetër, edhe më të fortë se ai i pari në postimin e saj me gjyqtarët në krah.

Aty thuhet se ndërsa Yuri Kim u bëri thirrje gjyqtarëve që të kryejnë punën e tyre me integritet, pavarësisht nga kërcënimet, duke theksuar se reforma në drejtësi është në një fazë kritike. Thirrja e diplomates së lartë amerikane ka qenë e qartë: Kërcënimet ndaj gjyqtarëve janë të paligjshme dhe autorët duhet të ndiqen penalisht.

“Kërcënime dhe nxitje të tilla janë në vetvete të paligjshme dhe duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht. Siç thotë edhe tabela në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, “Ligji është i barabartë për të gjithë”. Kjo do të thotë se askush nuk është mbi ligjin”, thuhet ndër të tjera në postimin e përditësuar.

Mesazhi aktual i Ambasadës së SHBA, në Facebook – Ora 14:37

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim vizitoi sot Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe u takua me gjyqtarët e saj. Ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre, pavarësisht sfidave. Duke nënvizuar se reforma në drejtësi është në një fazë kritike, ajo u bëri thirrje gjyqtarëve që të kryejnë punën e tyre me integritet, pavarësisht nga kërcënimet dhe nxitjet e atyre që kërkojnë të ruajnë mosndëshkueshmërinë ose privilegjin e tyre të paligjshëm.

Kërcënime dhe nxitje të tilla janë në vetvete të paligjshme dhe duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht. Siç thotë edhe tabela në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, “Ligji është i barabartë për të gjithë”. Kjo do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht sundimin e ligjit dhe, më gjerë, reformën në drejtësi, e cila është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë si një aleate demokratike, e begatë e Shteteve të Bashkuara dhe anëtare e Bashkimit Europian.

Mesazhi i parë i Ambasadës së SHBA, në Facebook – Ora 13:55

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim vizitoi sot Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe u takua me gjyqtarët e saj. Ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht ndërsa Gjykata nuk është plotësuar ende me 16 gjyqtarët e nevojshëm dhe ka një numër gjithnjë e më në rritje të çështjeve.

“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha Ambasadorja gjyqtarëve.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?