“Baba, muza e vargut tim”-Poezi nga Anita Hoxha
Baba, muza e vargut tim!
I thura nënës kaq shumë poezi,
Jo se ty të desha unë më pak,
Ti qeshje e më thoje,sa bukur moj bijë ,
Ke qëndisur çdo fjalë,çdo varg !
Ndaj sot u ula të shkruaj për ty,
Muzën vjeshtore e thirra pranë,
E pashë dhe lotët më rrodhën në sy,
Të lutem, shkruam vargje për babanë !
Vitet të kanë lodhur baba, e ndjej në shpirt,
Larg në dhe të huaj, ndarë kaq kohë…
Shfletoj me radhë kujtimet, fotografitë
Dhe përdore me ty,fëmijë veten shoh !
Kujtoj të qeshurën tënde, kur luaje me ne…
Punën e rëndë, kur i lodhur vije çdo natë,
Bleje rrallë një palë këpucë, një xhaketë të re,
Për një ditë më të mirë, i luteshe Zotit lart !
Kam ruajtur çdo gjë baba,nga ne
Koha kujtimet tona i mban ngrohtë në gji,
Ndjej se vjeshta po mbush parqet dhe atje,
Me muzën mbi tastierë, sot mu ule dhe ti..!
Ti po shkon
Shtatori erdhi, ti do shkosh dallëndyshe,
Sypërlotur, folezën pas do ta lësh…
Pa ty dhe vjeshta, do jete e trishtë ndryshe !
Si një mërgimtare, pranverës do kthesh…
Kur botës të fluturosh, nëpër shi erë e stuhi…
Do të marrë malli për malet e vendit tim !
Do kujtosh atë folezën e vogël mbi çati…
Dhe fjalët që bisedo-nim të dya në agim !
Ti po shkon dallëndyshe, rrugë e mbarë !
Njerëzve dhuroju pak mirësi nga shpirti yt,
Përqafoji nga larg, mijëra mërgimtarë…
E fëmijëve të varfër, me krahë fshijau sytë !
Dritareve do të pres, deri në perëndim…
Mes shiut dhe cicerimat e tua, tretur
Ti dallendyshe, ti zog i shpirtit tim…
Trupit të brishtë, pranverën mbanë të veshur !
Pse mikja ime!
Shiu rrëmbyeshëm bie trotuareve…
Unë, me nxitim vrapoj mos lagem !
Kaloj duke u shtyrë, mes udhëtarëve
Dhe në derën e autobuzit kapem !
U shtyva të ulem në karrige, diku…
Të gjithë nisa ti shihja, një nga një !
Ndjeva sytë të shtangen, mbi sytë e tu
Dhe pa pritur unë, u ktheva në asgjë !
Mike, të pashë një çast të vetëm,
Syve jo, s’desha t’iu besoja, unë aspak !
Ngrirë… perballë njëra tjetrës mbetëm,
Si dy statuja guri, në një park !
Me buzët që dridheshin buzëqeshe…
Në sy aq dhimbje lexova, në ato lotë !
Jo, ti s’munde, ndonëse t’më flisje deshe…
O Zot, thash : – Sa e padrejtë që është kjo botë !
Ti, ajo vajza e brishtë e fëmijërisë…
Ty, që dhe hapat akoma
unë ti njoh,
Ti, sot më trondite aq shume, ta dish
Atë vajzën e vogël, më spo e shoh !
Flokët e pakrehur e, thuajse zhveshur…
Me trupin tend të dobët, dikur llastar !
Pikturë… veq në endrra kam ndeshur,
Mike, me le pa fjale, ty ç’të ka ngjarë !
Të çmendur, të quanin udhëtarët…
Pa të njohur, të shtyjnë andej, kendej !
O Zot ! T’i vrisja do doja unë, shkaktarët
Fajtore, para teje, veten unë e ndjej !
Ku është fëmijëria jote, imja mike, ku ?!
Ajo vajzë e ëmbël e truphollë…
Një kufomë të gjallë, para syve kam këtu,
Dikur, ti vajza më e bukur në shkollë !
Ti, nuk doje të zbrisje, por të shtynë…!
Në mes shiut të hodhën, si e pa vlerë
Si një degë e blertë, trupin ta thyen…
Ti, një lule, sot e tharë dhe pa erë !
Me dënes, qava unë, mes udhëtarëve…
– Mirë u pafshim, të thashë, ashtu nën zë !
Ti, sot muza e të gjithë shkrimtarëve
Sfond i bardhë, ku ngjyrat dot s’i vë !
Ecja, e shpesh e ktheja kokën mbrapa…
Se doja të të shihja, për të fundit herë
Që larg, unë vështrimin tënd e kapa
E vetmuar…e pambrojtur dhe e mjerë !
– Lamtumirë, mike e pafaj, e femijërisë !
Për gjithë jetës, shpirtit, dhimbje mbete…
Uroj sot, të arrij dora e mrekullisë
E të rrëmbejë, nga mizerja e kësaj jete !
Total 0 Votes
0
0