Milan është një skuadër e paparashikuar, këtë herë do të jetë një ndeshje ndryshe
Humbja e rëndë e pësuar në Champions përballë Chelsea u pasua shpejt me një sukses të pastër 2-0 kundër Juves në Serie A. Milan e ka të vështirë të qëndrojë në nivel të tilla jashtë Italisë, të paktën deri më tani, këtë trend shpresojnë ta ndryshojë sot përballë bluve, ku në “San Siro” kërkohet rezultat për të qëndruar në lojë në Champions.
Stefano Pioli shpreson shumë që efekti “San Siro” të shtyjë djemtë e tij drejt suksesit:
“Është fantastike të lush përballë tifozëve tanë, të japin një energji të madhe dhe shpresoj që të jetë arma jonë shtesë. Është një grup i ekuilibruar, por nuk mendojmë më larg se sa ndeshja kundër Chelsea, jemi të përqendruar vetëm në këtë përballje. Kjo është një ndeshje që ka shumë vlera, për fatet në Champions, por edhe për rritjen tonë”, u shpreh Pioli në konferencë për shtyp.

Chelsea vjen në “San Siro” pas një fitore të pastër 3-0 kundër Wolves, ndërsa brenda 7 ditësh kanë marrë 3 fitore:
“Jam i kënaqur për mënyrën se si po shkojnë gjërat. Milan është një skuadër e paparashikuar, këtë herë do të jetë një ndeshje ndryshe, për këtë arsye më duhen lojtarë të freskët fizikisht. Nuk mund të them se kush do të zbres në fushë nga minuta e parë, Ziyech ka pasur një problem me fytin ndërsa Havertz është rikthyer, por nuk mund ta them nëse do të luaj nga minuta e parë”, u shpreh Potter.

Mediat nuk e shohin Brojën si titullar në këtë përballje, por interesimi pritet të jetë i madh rreth sulmuesit kuqezi, pasi Broja ka qenë dhe mbetet një emër shumë i lakuar në tregun e transferimeve në Serie A.