Po unë ku do ha bukë…

Shkrime

Zhaneta Barxhaj

Në ditët e ftohta nis e ndjehet më tepër ulërima e urisë, zorrëve të këtij vendi barkplasur.Sheh sesi shtohen fytyrat e trishtuara, të nxira nga i ftohti e shpesh edhe nga palarësia. Sigurisht, uji dhe sapuni po kthehen në mjete luksi për një pjesë të mirë të shoqërisë. Me shumë të drejtë lexoj shpesh ankesa të njerëzve, për aromën dhe palarësinë që haset gjithandej. Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten, se si jetojnë këta njerëz? Se sapuni për ta është një luks? Se zgjedhja midis copës së bukës dhe sapunit do të anojë gjithmon nga buka? Pash zotin, pyeteni njëherë veten dhe shihni pak më tej se hundët tuaja të parfumosura. Përditë shoh të kalojnë para syve të mi, duke tërhequr zvarrë mjerimin dhe peshën e rëndë të turpit që ka varfëria, njerëz të lodhur, të pangrënë, të veshur keq, shpesh edhe pa dhëmbë në gojë. Në të gjitha pyetjet që u drejton kanë vetëm një përgjigje; “ Mirë, mirë po unë ku do ha bukë sot?”. Aty, bëhesh sa grima dhe nuk artikulon dot më asnjë shpjegim. Është kaq therëse kaq implicite thirrja e tyre…duan thjesht bukë. Në shekullin e internetit, në reklamimin e botës dhe arkitekturës moderne, nën tabelat e mëdha të reklamave që na zënë sytë, në një vend të mbushur me pasuri mbi dhe nën tokësore, njerëzit po vdesin për bukë. Po, për bukë thatë, se gjërat e tjera ende nuk e dinë se ekzistojnë.

 

Janë kaq të shumtë, sa më kumbon në vesh refreni i tyre i përzishëm si një lajtmotiv dramatik, nxjerrë prej Hygoit. Ky gjëmim, duhet të na kish shkundur të gjithëve, duhet të na kish turpëruar, duhet të na vinte ndot nga vetja që hamë e flakim çka mbetet, ndërsa dikush tjetër vuan përditë për një kothere bukë. Po, nuk ndodh kështu. Turpin tonë ne ja hedhim atyre si baltë mbi kry dhe i shohim me përbuzje, i tallim dhe i nxjerrim për reklama herë në qafë e herë në avion, sikur të jenë majmun cirku. Ata ulin kokën, të përulur nga dhimbja dhe të pavetëjdishëm për këtë përdorim të paskrupulltë. ‘Më thonë zhuls, por unë jam pa ngrënë, pa pirë’, ishin fjalët që rridhnin nga lotët e një djali fatkeq, që u transmetua pak ditë më parë. Besoj shumë prej nesh kanë qarë bashkë me të. Kanë sjellë ndërmend sa e sa raste të tjera,që hasim përditë dhe pamundësinë për të bërë diçka për ta. Një shoqëri që po zvetnohet e po i ikin dinjiteti, përplasur përdhe për një copë bukë. Pastaj më vjen ndërmend frazeologjia;“ Ku ha bukën, mos përmbys kupën”. Një filozofi e tërë në një varg të vetëm. Dhe po mendoja, këta që nuk po hanë bukën e askujt, cilës kupe i kanë borxh?!

 

Në këtë përsiatje kuptova që shpesh gabojmë, duke thënë populli jonë nuk reagon. Dhe presim që këta njerëz të ngrihen për çështje të ndryshme të shoqërisë. Shpesh i akuzojmë për indiferencë, për njerëz pagjak. Po kujt pra, kujt ja kanë borxh ata mospërmbysjen e kupës?! Shumica e këtij populli janë në shkallën e fundit të piramidës së Maslow dhe ne kërkojmë nga ata të na mbështesin e na përkrahin sikur të jenë në shkallën e parë. Të gjithë ata që të paktën hanë bukë, duhet të ngrenë zërin edhe për këtë kategori. Duhet t’i mbrojnë nga manipulimi, nga dhuna, nga injoranca ku i kanë lënë, nga moçali i urisë, nga akuzat se nuk reagojnë. Kjo kërkon kurajo të fortë, kërkon një ndjeshmëri të lartë njerëzore.

 

Ndryshimi i kësaj situate nuk ndodh vetëm me bamirësi. Madje, mendoj se shprehja bamirësia nuk të varfëron duhet shtuar; “Bamirësia nuk të varfëron, por ndihmon në varfërimin e të tjerëve”. Sepse duhet t’i ndihmojmë të mësojnë të ecin vetë me politika dhe programe të caktuara, se ndryshe i lëmë të varur në gozhdën e mospërmbysjes së kupës ndaj bamirësit, edhe pse një ditë mund ta shkeli. I lëmë në skllavërin e lëmoshës. Më kumbojnë veshët nga thirrjet e tyre “ ku do hamë bukë ”… dhe më dhembin sytë nga statistikat për ngritjen ekonomike… më ngrihen gulfa gjaku nga vizitat e damës plakë shtëpive të harruar me mëshirën përbuzëse në sy… Atje tej vazhdon të gjëmojë uturima e zorrëve te ùshme, përplasur fort në frazën “po unë ku do ha bukë sot”….

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?