Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, blen pa garë 5 fuoristrada të 2022 tek Dulaku

Aktualitet

Një tjetër skandal mund të cilësohet tenderi i radhës që po ju paraqesim. Kësaj here bëhet fjalë për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve e cila në vend që të sigurojë kushtet minimale të nevojshme për ata që vuajnë dënimet, shkon e shpërdoron mbi 200 milionë lekë për të blerë fuoristrada të vitit 2022.

Admir Abrija, kreu i këtij institucioni duket se nuk i ka bërë përshtypje fare fakti që ka patur të bëjë me një tender në mungesë totale të konkurrencës dhe ka shpallur fituese firmën ALBANIA MOTOR COMPANY në pronësi të vëllezërve Dulaku.

Më konkretisht bëhet fjalë për procedurën e prokurimit që mban numrin e referencës REF-37081-07-25-2022 dhe ka si objekt “Blerje automjete te reja te tipit fuoristrada”.

Fondi limit është 17,980,349 lekë të reja pa TVSH ose rreth 215 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nuk kuptohet se përse kësaj drejtorie i nevojiten 5 fuoristrada, dhe akoma më e pakuptueshme është se përse nevojiten të pesta prodhim i vitit 2022?

Në një kohë kur vendi kalon një krizë ekonomike a nuk mund të merreshin makina më të vjetra dhe pak të përdorura? Apo Admiri dhe kolegët e tij preferojnë kushtet maksimale?

Gjithsesi përtej kësaj, tenderi ka mungesë konkurrence pasi në të ka marrë pjesë vetëm kompania fituese, përkatësisht ALBANIA MOTOR COMPANY e cila ka ofruar shifrën prej 17,665,000 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 212 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Shihet gjithashtu se oferta fituese është thuajse identike me fondin limit, përkatësisht sa 98.24% e tij./ JOQ/

 

 

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?