Arrestohet shoferi i Mariglen Qatos, i gjenden edhe 3 PISTOLETA
Policia arrestoi pak ditë më parë Klajdi Malajn, shoferin e kreut të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, pasi iu gjetën sasi të mëdha kokaine, gati për shpërndarje,si edhe tre pistoleta.
Këtë të hënë Drejtoria e Policisë së Tiranës njoftoi se kishte finalizuar operacionin të emërtuar “Doses” (Dozat), ku gjatë operacionit u arrestua 31-vjeçari K.M (Klajdi Malaj).
“Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi K. M., pasi siguronte lëndën narkotike kokainë në sasi të mëdha, e ndante atë në doza dhe e shiste më pas në zona të ndryshme të Tiranës”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë së Tiranës
Teksa efektivët e “Shqiponja-s” kanë ndaluar mjetin luksoz Audi A6, në pronësi të shoferit të Mariglen Qatos, ai ka deklaruar se është punonjës i Bashkisë së Tiranë, duke tentuar shmangien e kontrollit të mjetit.
Mesa duket efektivët nuk e morën aspak parasysh këtë detaj dhe nisën kontrollin e mjetit, ku zbuluan 35 doza me lëndë të dyshuar narkotike, kokainë, gati për shitje, si dhe 3 armë zjarri pistoleta e municion luftarak. Ende nuk dihet nëse shefi i tij, Mariglen Qato, ka qenë në dijeni për veprimtarinë e tij kriminale.