Sot i uron ditëlindjen/ Dikur Rama e krahasonte Nanon me…
Edi Rama ka uruar sot ish-kreun e Partisë Socialiste Fatos Nano për ditëlindjen, përmes një përshkrimi të profilit të ish-liderit historik të së majtës, me të cilin dikur do të kishte një përplasje të fortë deri edhe denigruese.
Rama: “Edhe 100 kryetari ynë dhe vetëm përpara, me shëndet, humor e harmoni në familjen tënde, po edhe me punë të mira e të tjera fitore në këtë familjen e përbashkët politike, që do të ketë gjithnjë nevojë për mbështetjen e këshillat e tua.”-shkruan Rama ne profilin e tij.
Por nëse i kthehemi të shkuarës urimi i sotëm i Ramës tingëllon shumë hipokrit. Gjatë fushatës së Nanos për katarsis në 2001-shin, Rama lëshon një batutë: “Nano është bërë si Robert Çamçakëzi, fut duart në xhepa dhe bredh nëpër kantier”. Rama e krahason Nanon me një personazh të filmit “Horizonte të hapura”, që regjisori e kishte krijuar për të personifikuar figurën e një njeriu që rri kot gjithë ditën ndërsa të tjerët punojnë. “Nano është bërë si Robert çamçakizi që vjen vërdallë nëpër kantiere bosh me duar në xhepa”, shprehet ai.
Gjatë debateve të vitit 2004 Rama do të bërtiste mes fishkëllimave të mbështetësve të Nanos, ndërsa ky i fundit do të shfaqej i qetë në fjalim. “Nuk jam i prirur të çohem dhe të bërtas ‘Fatos Nano!’ kur e shoh që anija që ai drejton prej 13 vitesh rrezikon të mbytet”, do të shprehej Rama.
Kujtojmë që pasi Edi Rama mori në dorë “timonin” e Partisë Socialiste, pothuajse të gjithë zërat ndryshe ose kritik brenda kësaj force politike u mënjanuan ose përjashtuan.