Brukseli kërkon “kokat” e korrupsionit në Shqipëri
Hapja zyrtare e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duket se do t’iu hapë shumë punë institucioneve të drejtësisë, më në krye Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuara dhe Korrupsionit dhe Byronë Kombëtare të hetimit, dy organe këto që kanë në dorë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se fati i integrimit europian të Shqipërisë, varet pikërisht nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit, për shkak se negociatat nisin dhe mbyllen pikërisht me fushën e drejtësisë, për të cilat Brukseli kërkon një punë të shkëlqyer.
Por për të treguar se negociatat janë në dorë të organeve të drejtsisë, dje ka ardhur një mesazh i fortë nga ambasada e BE në Tiranë, e cila kërkon “kokat” e “mamuthëve” të korrupsionit në Shqipëri. Ka qenë ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Christiane Hohmann, e cila teksa ka zbuluar në rrjetet sociale detaje se zhvilluar dje një takim me Kreun e SPAK, Arben Kraja dhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, ndërkohë që ka përcjellë mesazhin e qartë se lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, sipas saj, është shtylla kryesore në rrugën e Shqipërisë drejt BE.
“Sot zhvillova takime të rëndësishme me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja dhe kreun e SPAK Arben Kraja. Sundimi i ligjit është shtylla kurrizore e rrugës së Shqipërisë drejt BE. Konsolidimi i Reformës në Drejtësi duhet të shkojë përpara.
Synimet kryesore mbeten pavarësia dhe integriteti i institucioneve të drejtësisë, gjykatat efikase dhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë në mënyrë që qytetarët të ndihen më të sigurt dhe t’u besojnë institucioneve të tyre të drejtësisë.
BE është këtu për t’ju mbështetur në këtë rrugë sfiduese”, shkroi Christiane Hohmann, duke dërguar një mesazh të fortë për të korruptuarit në Shqipëri. Bëjmë me dije se diplomatja Hohmann, u emërua Ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri në muajin qershor, pak kohë pas përfundimit të mandatit të Luigi Soreca.
Ajo dikur mbante postin si ambasadore e Gjermanisë në Estoni dhe më parë ka shërbyer si ambasadore gjermane në Bosnjë-Hercegovinë.
Por ultimatumi që ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Christiane Hohmann, ka dhënë për kreun e SPAK, Arben Kraja dhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, duket se është një mesazh i fortë për gjithë politikanët dhe zyrtarët e përfshirë në afera kriminale dhe korruptive në Shqipëri.
Gjermani kërkon të intensifikohet lufta ndaj korrupsionit
Më herët gjatë kësaj vere, edhe ambasada gjermane në vendin tonë, teksa premtoi se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për zbatimin e reformës në drejtësi, theksoi se synimet kryesore të saj, janë lufta kundër pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Bisedimet për anëtarësim në BE kanë filluar!
Gjermania do të vazhdojë të mbështesë më tej Shqipërinë, edhe në hapat e ardhshëm të zbatimit të reformës në drejtësi.
Lufta kundër pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten synimet kryesore të reformave në Shqipëri. Në procesin e anëtarësimit sundimi i ligjit është tejet parësor”, shkruan ambasada, teksa ka shpërndarë deklaratë e prezencës së BE në Shqipëri për miratimin e Hartës së re Gjyqësore.
Pra përmes kësaj deklarate, Berlini zyrat jovetëm që i bën presion qeverisë që të thellojë reformat, por i kërkon asaj që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë, për të çuar para përgjegjësisë penale çdo zyrtar dhe politikan shqiptar të përfshirë në afera korruptive apo kriminale. Thënë troç, integrimi i Shqipërisë varet nga instalimi i shtetit ligjor./GazetaSot

