Meta akuzoi bashkinë e Shijakut, policia: Ishte një 47-vjeçar që dogji goma, u arrestua
Një 47-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Shijakut pasi ka djegur goma dhe pjesë të tjera makinash, duke shkaktuar kështu ndotje të ajrit.
Në njoftimin e bërë nga uniformat blu mësohet se shtetasi A.M u vu në prangat e policisë pasi në fshatin Sallmonë të Shijakut, kishte kishte djegur goma, sedilje makinash dhe mbetje të tjera plastike, me qëllimin nxjerrjen e materialeve metalike, duke shkaktuar ndotje të madhe të ajrit.
Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua një karrocë dore, me të cilën transportonte materialet metalike që nxirrte nga djegia e këtyre sendeve.
Në lidhje me këtë rast më herët reagoi dhe kryetari i Partisë së Lirisë, i cili akuzoi bashkinë e Shijakut se po digjte mbeturinat dhe helmonte qytetarët.
Njoftimi i plotë:
Shijak
Dogji goma dhe pjesë të tjera makinash, duke shkaktuar ndotje të ajrit, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 47-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak menjëherë pas marrjes së njoftimit për ndotje të ajrit si pasojë e djegies së gomave të makinave dhe sendeve të tjera, në fshatin Sallmonë, Shijak, kanë organizuar punën dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, konkretisht të shtetasit:
-A. M., 47 vjeç, banues në Sallmonë, Shijak, pasi në këtë fshat kishte djegur goma, sedilje makinash dhe mbetje të tjera plastike, me qëllimin nxjerrjen e materialeve metalike, duke shkaktuar ndotje të madhe të ajrit.
Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua një karrocë dore, me të cilën transportonte materialet metalike që nxirrte nga djegia e këtyre sendeve.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.