Aktualitet

Shembjet tek “Prestige Resort”, Çuçi: Hysenbelliu përvetësoi 4 mijë metra katrorë rërë e det

Ministria e Brendshme shprehet se biznesmeni Irfan Hysenbelliu që ka në pronësi “Prestige Resort” ku po kryhen shembjet nga IMT, e trajton këtë gjë si një sulm ndaj fjalës së lirë e mediave që ka, kur sipas MB nuk është ashtu. Në një deklaratë zyrtare, vetëm pak minuta pasi kanë nisur shembjet në resort, Ministria e drejtuar nga Bledi Çuçi shkruan se Hysenbelliu ka përvetësuar 4 mijë metrave katrorë rërë e det. Në deklaratë thuhet se Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore. Ministria e Brendshme akuzon biznesmenin në fjalë se mediat që ka në pronësi, News24, Balkanweb dhe Panorama i përdor për të mbuluar problemet me ligjin e për të sulmuar zyrtarë, duke marrë si shembull Drejtorin e Tatimeve Ceno Klosi e atë të Doganave, Gent Gazheli.

Deklaratë nga Ministria e Brendshme

Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin “Bregdeti Ynë”, i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator. Ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare. Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre. Nuk është hera e parë që mediat Neës24, BalkanËeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit. Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e shantazhit, shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore. Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave. Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të News24, Balkanweb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu. Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit “Bregdeti Ynë” me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu. Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Zoti Ajet Zyberi do të drejtojë operacionin e ri kombëtar të Task Forcës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, i cili do të nisë javën e ardhshme pas shpalosjes së planit të qeverisë për të përballuar vjeshtë-dimrin në kushtet e krizës ndërkombëtare të energjisë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania