“Fluturat”, dokumentari mbi rrëfimet e vajzave të kampeve të diktaturës
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur më 30 gusht u shfaq në Tiranë dokumentari i regjisorit Bujar Alimani, “Fluturat”, që ndjek jetën e 21 vajzave, të cilat jetuan në kampin e internimit të Gradishtës dhe Savrës në Lushnjë gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Historitë e dënimit të familjarëve për arsye politike, persekutimit të tyre, dehumanizimit, e jetës me stigmën si armiq të popullit pasi ju ishte marrë liria e pasuria, vijnë të rrëfyera prej vetë 21 vajzave që tregojnë njëherësh edhe qëndresën e mbijetesën dhe luftën për të mos humbur veten.
Filmi ndjek rrëfimet e tyre në kamp, në kishën ku luteshin e gjenin forcë, ndërsa imazhet e tyre vijnë me ngjyra, për të treguar triumfin mbi të keqen, siç thekson regjisori.
“Nuk doja t’i trajtoja si viktimë. E kaluara jonë është e papastruar, kemi nevojë të përballemi me të shkuarën, për sa kohë ne do mbetemi i dosjeve në sirtar dhe i të vërtetës që nuk thuhet e i batutës, “ashtu ishte koha”, do mbetemi peng i së shkuarës. Duhet të pastrohemi njëherë e mirë me të, sado e fortë të jetë ajo”, tha Alimani.
Shfaqja e dokumentarit u bë në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dosjet e Ish Sigurimit të Shtetit, ndërsa kryetarja dha një mesazh.
Ato që dukeshin ëndrrat e tyre më të pamundura brenda kampeve me tela me gjemba të diktaturës, sot i kanë realizuar duke e ndërtuar jetën e tyre mes Shqipërisë dhe Perëndimit. Megjithëkëtë, vajzat dhe familjet e tyre e kanë parashikuar se ardhja e lirisë nuk do të sillte drejtësi.
“E vetmja gjë që na ka mbetur është të merremi me kujtesën. Fatkeqësisht për turpin tonë si shoqëri, persekutorët, bashkëpunëtorët, kriminelët e diktaturës kanë dhënë shpirt paqësisht në shtretërit e tyre dhe në komfortin e shtëpisë së tyre dhe jo në burgjet ku do të ishin. Pjesa tjetër kanë depërtuar në institucionet shtetërore. Ne jemi ende të persekutuar”, theksoi Ritvana Mena.
Jetët e tyre në kamp duken si ëndërr. Kampet janë shkatërruar si për të fshirë atë që ndodhi në to, duke zhytur në baltën që i rrethonte, vragat e forta të jetëve që u syrgjynosën atje. Balta tashmë është shpërndarë kudo si metaforë e mohimit të fateve njerëzore dhe përgjegjësive shoqërore e shtetërore. Ndërsa “Fluturat”, përtej triumfit personal, u rrekën të ikin larg nga atdheu që në fillim i izoloi dhe më pas nuk ju dha vendin e mohuar.
(BalkanWeb)
