“Rritur në një vend, rrojmë nën dy qiej”-Poezi nga Ymer Nurka

Poezi
REFLEKSION
Shkoj të pi kafe me vetveten!
Një kafe halli po shkoj të pi!
Vitet shkojnë e ndjej të tretem,
Si bulëz vese në gjithësi.
Do shkoj t’i lutem kamarierit,
“Një kafe dhe një kupë raki!”
Se jeta shkon në fije të perit,
Ç’ta pret fijen kush s’e di!
Do të ndez një puro malli,
E tymin hollë do ta tjerr!
Mendjen trazuar dhe djalli,
Në kulm të pezmit peng ta merr!
Do shkoj të pi kafen mëngjesit,
Me veten ulur në një cep.
Që të shporr ëndrrat e vesit,
Ta bëj “egon” për një lek!
Të mos jem më si më parë,
Në shtyrje ditësh me kaq ngut!
Mbi dhé, të pasur inventarë,
Nën dhé, të matur për tabut!
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të brendshme
Ti je virgjeresha
* * *
S’njeh, as rrënjët, as pemën, as zefiret,
Që pyllin e drithërojnë ndër ethe.
Ti je virgjeresha, që drojtur feks hiret,
Je lulja e bukur, qe fshihet nën gjethe.
SOT NË DITËN TËNDE POET
Ngado më çon rruga
Në tonin Atdhe,
Të gjej Petrit Ruka!
Se ti ketu je.
Ditëlindja jote poet,
Më gjeti në mal të Tomorrit,
Tek kryeshënjti ynë i moçëm,
Duke medituar e duke ndezur
Qirinj përshpirtjesh,
Për të gjallë e për të shkuar.
Prej mallit gjithsesi përvëluar,
Për të shtrenjtit e mij të mortshëm!
Një qiri për shpirtin tënd, bëj të ndez,
Por më kot, s’e ndeza që s’e ndeza dot.
Një erë, ca fllade, si fjalë, a si këngë labe,
Vinin së largu larg me jehonë,
Me tinguj diç thonin nëpër gishtrinj,
Më jepnin një si urdhër, a si shënjë;
“Për Profetin dhe Poetin, s’ndizen qirinj!”
Çuditem me këtë vendin tënë Poet,
Vërtet çuditem, m e bijtë e sotëm!
Ca e tërheqin e ca të tjerë e shtynë,
Për mijra vite i njëjti refren,
Ndërsa për vete bredhin e lëvizin botën,
Eh, kur e patën besimin e rrallë,
Këtë mal të shenjtë e ngritën me frymë.
Ndjeji zërat tanë poet dhe eja!
Në qiej atje lart, s’ke ç’të presēsh!
E di që e ngushtë këtu është foleja,
Gjithsesi për hatër,
Ndonjëherë edhe duhet të zbresësh!
GEZUAR DITELINDJEN MOTER!
Të shkruaj vargje për ty motër e dashur
Nuk pres muzën,
Se kënga për ty, ka rendur para saj.
Ti lehtshëm fluturon, si petale,
Teksa vjen e shkon, me ciklet e hënës,
Të shënjtë e ke hijen.
Jo rrallë dhe vrullshëm gjëmon,
Të na shkundësh vetëdijen.
Dashuria jote endur shpirtrash tanë,
Me fije kujdesi, si një motiv i bukur.
Prej merakut, i trembësh “të thënës”
Duke shpërndarë rreze malli,
Shpesh merr rolin e nënëmadhes,
Pastaj me zërin kumbonjës,
Te shtrenjtëve të tu, u bekon fatet,
Domosdo je motër,
I druhesh lotit të sorkadhes.
Motra, pengu i lules, që qan fatin e rrenjës!
Motra, e vetmja, që rilind para dhe pas nënës!
Mund të jetë një imazh i 2 persona, tortë dhe ambiente të brendshme
LIRIKË MALLI
Unë në njërin skaj, ti në tjetrin skaj,
N’daç po deshe qesh, n’daç po deshe qaj!
Se jemi kaq larg, bota nuk ka faj.
Ajo veç vërtitet në orbitë të saj.
Me frytet e gushtit, po më josh në maj.
Bo bo nga të vete, o po nga t’ia mbaj!
Valle e dashurisë, nuk hidhet kollaj.
Fjalën do ta pres, mëndjen do ta ndaj!
Ti në njërin skaj, unë në tjetrin skaj.
Kot të bëj lëvdata, po më kot të shaj!
Shpirti im ka gaz, xhani yt ka vaj.
Kur të rrjedhin lotët, lotët dot s’ti thaj!
Rritur në një vend, rrojmë nën dy qiej,
Këtej Dielli lind, perëndon andej.
Në më bëre borxh, borxhin dot s’ta kthej!
Zemrën në ma fale, s’kam si ta rrëmbej!
Ti në njërin cep, unë në tjetrin cep,
Këtej Hëna than, andej Hëna pjek.
Kur unë jam në mal, ti gjendesh në det.
Globi rrotullohet, në orbitë të vet.
Meraku të djeg, malli po më tret.
Zgjatet loja zgjatet, zgjatet me lezet.
Të dy po humbasim, nëpër ditë e net.
Ëndrrat i bëmë çift, kurmet i lamë tek.
Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë dhe ambiente të jashtme
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?