Sot votohet mocioni i votëbesimit kundër Dritan Abazoviç

Rajoni

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka thënë se është i gatshëm ta formojë një qeveri teknike. Këtë deklaratë ai e ka dhënë një ditë para se të shkojë në Kuvendin e Malit të Zi ku do të votohet mocioni i votëbesimit kundër tij.

Në një prononcim për televizionin malazez Adria, ai ka thënë se është i gatshëm ta formojë një qeveri teknike. Sipas kryeministrit Abazoviç, votimi pro mocionit të mosbesimit kundër tij është legjitim por njëkohësisht edhe i çuditshëm.

“Nëse kjo ndodh, nuk do ta konsideroj si diçka jo legjitime nga përfaqësuesit e tyre. Megjithatë, mendoj se do të ishte paksa e çuditshme, veçanërisht nëse do të vinte si reagim ndaj nënshkrimit të Marrëveshjes Themeltare”, tha ai.

Më tej, Dritan Abazoviç është shprehur se nuk po ikë nga zgjedhjet, por po i pret me padurim dhe thekson se qeveria e pakicës me të si kryeministër ishte emëruar maksimumi për një vit dhe jo më shumë.

“Ne nuk po ikim nga zgjedhjet – mezi presim zgjedhjet. Në zgjedhje qytetarët e Malit të Zi duhet të legjitimojnë një shumicë të re dhe një qeveri që shpresojmë se do të funksionojë për katër vjet”, vijoi ai. Kryeministri malazez thotë se është i gatshëm që të ulet dhe të diskutojë për një qeveri teknike dhe për zgjedhjet e ardhshme.

“Pra, kjo vlen nëse qeveria nuk bie dhe ne jemi gati, nuk duhet të presim as të hënën, mund të ulemi të shtunën dhe të shohim se si mund të bëjmë shumicën që mund ta çojë vendin drejt procesit zgjedhor. Kjo do të thoshte se do të krijohej një qeveri teknike që nuk do të kishte program përpos detyrën kryesore, zhvillimin e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Të premten e 19 gushtit, Kuvendi i Malit të Zi do të diskutojë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Dritan Abazoviç. Kjo nismë për thirrjen e mocionit është e Partisë Demokratike Socialiste(PDS) të presidentit Millo Gjukanoviç, mbështetur nga pesë parti.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?