BE ndërmjetëson takimin, Kurti dhe Vuçiç në tryezën e bisedimeve sot në Bruksel

Rajoni

Sot në tryezën e Brukselit do të përballet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky takim vjen pas atij që dy liderët ballkanikë zhvilluan me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg.

Takimi në një tryezë të ndërmjetësuar nga Shefi për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, vjen pas më shumë se një vit.

Herën e fundit takimi Kurti – Vuçiq ishte mbajtur më 19 korrik 2021. Atë kohë ata ishin pajtuar vetëm për një gjë; të takohen sërish. Por takimet mes tyre ishin vetëm në nivel konferencash dhe darkash joformale.

BE-ja sot do të përpiqet që të jetë efektive në ndërmjetësimin e këtij takimi. Pasi dy shtetet gjenden në një fazë tensionimi, bazuar në deklaratat e zyrtarëve në Kosovë dhe Serbi.

Kryeministri i Kosovës disa herë në media ndërkombëtare ka thënë se “ka gjasa që të ketë konfrontim me Serbinë”. “Jemi të shqetësuar, por jo të frikësuar”, kishte thënë Kurti, teksa situatën e lidhte me gjendjen në Ukrainë.

Në anën tjetër, presidenti serb propagandonte se “Kosova është duke përgatitur vrasjen e serbëve”. “Kurti dëshiron të jetë Zelensky i vogël që ta luftojë Putinin e vogël”, kishte thënë Vuçiç, teksa fliste për diskursin e luftës të cilin i ka kontribuar shumë shpesh.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?