Tiranës i ikin titullarët, joshin Alban Hoxhën dhe Vasil Shkurtajn

Sport

Orges Shehi kishte vetëm një kusht pasi u shpall kampion me Tiranën, drejtuesit e klubit duhet të ruanin boshtin kryesorë të ekipit. Halili dhe Osmani ia plotësuan këtë dëshirë, por vetëm në aventurën evropiane, pasi nga kryeqyteti tani po largohen një pjesë e mirë e titullarëve. Hoxhallari, Toli dhe së fundmi Totre, por ky eksod pritet të vijojë me disa titullarë të tjerë. Me “valixhe në duar” janë dhe Taulant Seferi e Visar Bekaj, të dy me destinacion Turqinë. Nuk është e sigurt as e ardhmja e Xhixhës, ofertat për të cilin nuk mungojnë.

Seferi

Përballë një situatë të tillë, Tirana është e detyruar të lëviz shpejt në tregun e transferimeve për të plotësuar vendet e lëna bosh pasi bëhet fjalë për gjysmën e ekipit që një sezon më parë solli në kryeqytet titullin e 26-të kampion. Ndryshe nga vitet e fundit, Tirana lëvizi pak në merkato, por situata tashmë ka ndryshuar, i duhen lojtarë të sprovuar që nuk i duhen kohë për tu përshtatur pasi sezoni i ri starton më 20 gusht. Drejtuesit e klubit bardheblu po tentojnë edhe një herë të joshin Alban Hoxhën, kapitenin e Partizanit, i cili aktualisht nuk është nën kontratë me “demat”. Sigurisht, Partizani ka qenë dhe mbetet opsioni i parë për portierin, por hezitimi i klubit për t’i ofruar një kontratë të re mund të sjell një transferim të bujshëm të rivalët e përjetshëm.

Alban Hoxha 1

Ndryshim total pritet të ketë edhe reparti ofensiv te Tirana, pas Majkëll Ngos, dhe Seferit, kryeqytetasit po negociojnë për të zgjidhur kontratën me konsensus edhe me De Silvën, braziliani rezultoi një afrim jo efikas. Vasil Shkurtaj është emri i parë në listën e dëshirave, palët kanë gjetur një akord në parim, nëse për sulmuesin nuk vjen ndonjë ofertë e mirë nga jashtë Shqipërisë, Shkurtaj do të vesh fanellën bardheblu.
(BalkanWeb)

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?