Ish-kryehetuesi i diktaturës: Sozia e Enverit lëvizte me makinën zyrtare kur udhëheqësi ishte sëmurë

Aktualitet Shkrime Te tjera

Makinat zyrtare të kohës së diktaturës, ku lëviznin nëpër qytet, jo gjithmonë kishin pasagjer udhëheqësin e madh apo kryeministrin e vendit. Kishte raste kur udhëheqësi ishte sëmurë, por me makinën e tij zyrtare lëvizte sozia e tij, për ti krijuar popullit përshtypjen se ai ishte pranë njerëzve.

Kështu shkruan në kujtimet e tij, Qemal Lame, ish kryehetuesi i kohës së diktaturës në librin “Miq dhe Armiq” që po publikohet në Balkanweb.

“Edhe në kushtet që udhëheqësi ishte i sëmurë rëndë dhe nuk kishte mundësi të dilte në publik, mbrëmjeve të ditëve të festave, para ditës së votimeve për zgjedhjen e deputetëve etj., me porosinë e tij, inskenoheshin lëvizjet e makinës së tij të veçantë, duke u vendosur sozi që luante rolin e dublantit të udhëheqësit, për të treguar praninë, se udhëheqësi është në krye të detyrave të tij etj. Kur lëvizte eskorta e udhëheqësit apo e kryeministrit, makinat e zeza luksoze të borgjezisë që bliheshin aq shtrenjtë për t‘i krijuar kushte, komoditet, siguri e krenari udhëheqjes, ngjallnin kuriozitetin dhe njëkohësisht frikën”, shkruan Lame.

Nga Qemal Lame

“Partia “krijon kushte” për udhëheqësin kryesor”

Enveri shprehej vetë në biseda të ndryshme në rreth të ngushtë ose me personat që e vizitonin se “partia i kishte krijuar kushte të mira”. Kështu, largoheshin prej tij edhe dyshimet dhe diskutimet për standardin dhe nivelin e jetesës ndryshe nga populli i thjeshtë që jetonte në kushte shumë modeste, të mbijetesës.

Në bazë të treguesve të nivelit të jetesës, Shqipëria ishte vendi me të ardhurat më të ulëta në Evropë dhe radhitej në vendet më të varfra, i treti në botë. Partia e Punës kishte krijuar kushte për udhëheqësin, por populli përjetonte varfërinë e tejskajshme, e cila ishte dramatike në krahasim me zhvillimin dhe nivelin e jetesës bashkëkohore evropiane. Populli ishte i izoluar, nuk lejohej për të kaluar kufirin e klonuar me tela me gjemba dhe rrymë elektrike, kapitalizmi dhe jeta në Perëndim propagandohej si skllavëri e klasës punëtore nga borgjezia, ishte i dënueshëm çdo mendim për më shumë liri të fjalës, të lëvizjes së lirë etj.

Qemal Lame

Ndryshimet në kushtet e jetesës dhe të banimit midis udhëheqjes dhe popullit tregonin dhe evidentonin më qartë nivelin më të ulët të varfërisë së popullit në krahasim me vendet e tjera fqinje dhe në tërësi me shtetet e përparuara evropiane. Në kushtet e socializmit, kur propagandohej jeta e thjeshtë e udhëheqjes dhe gju më gju me popullin, binte në sy ndryshimi midis idealeve të komunizmit dhe realitetit mjeran shqiptar. Udhëheqja pretendonte për përkushtim për shtetin e diktaturës së proletariatit, ekonominë socialiste, pronën shtetërore mbi mjetet dhe veglat e prodhimit, kolektivizimin e plotë të bujqësisë, duke iu hequr fshatarëve tokën, bagëtitë dhe shpendët. Njerëzit ishin bindur dhe jetonin në kushtet e varfërisë, ata detyroheshin ta pranonin si mirënjohje për lumturinë dhe mirëqenien që iu kishte siguruar socializmi dhe Partia e Punës.

Udhëheqja vetë jetonte e veçuar në kushte që për atë kohë ishin luks, me vila me kopshte, me të ardhura, ushqime, shërbime etj., të cilat tregonin për disnivelet e larta me popullin. Udhëheqja lëvizte me makinat më luksoze të kohës “Mercedes Benz”. Makinat e parkuara demonstronin peshën e pushtetit edhe kur qëndronin para selisë së Komitetit Qendror, Kryeministrisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kuvendit Popullor, ministrive etj. Edhe në kushtet që udhëheqësi ishte i sëmurë rëndë dhe nuk kishte mundësi të dilte në publik, mbrëmjeve të ditëve të festave, para ditës së votimeve për zgjedhjen e deputetëve etj., me porosinë e tij, inskenoheshin lëvizjet e makinës së tij të veçantë, duke u vendosur sozi që luante rolin e dublantit të udhëheqësit, për të treguar praninë, se udhëheqësi është në krye të detyrave të tij etj. Kur lëvizte eskorta e udhëheqësit apo e kryeministrit, makinat e zeza luksoze të borgjezisë që bliheshin aq shtrenjtë për t‘i krijuar kushte, komoditet, siguri e krenari udhëheqjes, ngjallnin kuriozitetin dhe njëkohësisht frikën. Ato përbënin ngjarjen e ditës ose të kohës, si në rastet kur ishin të papritura, ashtu edhe kur organizoheshin, përgatiteshin e mësoheshin njerëzit për pritje, brohoritje, solidarizim, mirënjohje etj. Mercedes Benz-i dihej se simbolizonte dhe tipizonte sistemin kapitalist, pronën private, nivelin më të lartë të zhvillimit të teknikës, diferencimin dhe dallimin midis kapitalizmit të zhvilluar dhe prapambetjes së dukshme dhe inferioritetit të socializmit si sistem politik, ekonomik e shoqëror. Me anë të imazhit që kishin arritjet bashkëkohore teknike të vendeve të zhvilluara kapitaliste, fshihej gjendja e vërtetë e brendshme. Socializmi, megjithëse me nivel të ulët, propagandohej zyrtarisht se ishte në nivele më të larta zhvillimi politik, ekonomik e shoqëror. Këtë propagandë e mbështeste edhe luku estetik e makinat moderne në përdorim.

Enveri dhe në shembullin e tij edhe udhëheqësit e tjerë, u larguan nga premtimet e luftës e pasluftës, u veçuan nga populli dhe jeta e thjeshtë, visheshin me kostume e kapela të modës së kohës, udhëtonin me makinat e markës së fundit si udhëheqësit perëndimorë. Këto dallime dhe privilegje të udhëheqjes, e cila rrezatonte pushtetin e socializmit diktatorial me arritjet më të mira të kapitalizmit demokratik, ndikonin thellë në ndërgjegjen e njerëzve të thjeshtë, të komunistëve të sinqertë që sakrifikonin me ndërgjegje dhe me imponim, por që po formonin edhe bindjen për ta parë më realisht gjendjen dhe të ardhmen.

Edhe pasardhësi me kushte që vinin në dukje rëndësinë e tij Mehmet Shehu si pjesë e udhëheqjes ka gjurmën dhe peshën e tij në vendimet më të rëndësishme në të gjitha fazat e proceset e sistemit politik e të ndërtimit të vendit. Ai kishte krijuar edhe besimin në popull si pasardhësi i Enverit. Të dy këta udhëheqës do të gëzonin për veten e tyre edhe komoditete më të mira jetese në krahasim me kushtet e asaj kohe me nivel të ulët të mirëqenies e të banimit të popullit. Vila e re e kryeministrit, e ndërtuar për të në hyrje të bllokut të banimit të udhëheqjes, pas ndërtimit të vilës për fëmijët e Enverit, do të plotësonte më tej pushtetin e tyre. Vila e re kryeministrore u bë objekti i demonstrimit publik të pasardhësit të pushtetit absolut të udhëheqësit të sëmurë rëndë.

Gëzimet e parakohshme apo urrejtjet e hakmarrjet do të bëheshin pjesë e dramës së rëndë. Vila do të bëhej vendi i tragjedisë së pasojave të luftës së egër për pushtet, vendi i horrorit të vrasjes së organizuar shtetërore në Bllok për eliminimin e kryeministrit në detyrë, të dyshuar gjithë jetën dhe në fund të akuzuar e dënuar politikisht e eliminuar me vrasjen makabre pas akuzave si tradhtar i popullit dhe poliagjent i Perëndimit.

Sa herë kaloja për të shkuar në universitet, mendoja se shtëpia luksoze për kushtet e asaj kohe, që po ndërtohej për kryeministrin, vinte më në pah rolin dhe autoritetin e tij si drejtuesi i ardhshëm i partisë dhe shtetit.

Njëkohësisht, vetvetiu më lindte pa dashje edhe parandjenja e një dyshimi për të ardhmen jo të sigurt të pasardhësit autoritar e të afirmuar në ambientet zyrtare dhe në opinionin shoqëror. Kur vlerësohesh shumë,  rriten simpatizantët, por edhe të pakënaqurit dhe armiqësitë bëjnë punën e tyre. Fati ndikon që të kesh sukses, por edhe të ndëshkon kur nuk e pret dhe atëherë kur mendon se ke arritur një kulm, nga i cili mund të orientohesh dhe të veprosh edhe më tej, edhe më lart. Pikërisht në këto momente delikate ndodhin edhe rëniet pikiatë dhe shkatërrimi i dhimbshëm. Rendi politik dhe shoqëror i asaj kohe kishte veçoritë e veta. Vendimet përfundimtare të Enver Hoxhës nuk arrinte njeri t’i parashikonte, për vetë karakterin e tij sa të simpatizuar në paraqitjen e jashtme, aq të fshehtë, të frikshëm dhe të rrezikshëm në marrjen e vendimeve dhe realizimin e tyre me vullnet të hekurt dhe gjithë forcën e mekanizmit shtetëror të ushtrimit të dhunës.

Zhvillimet e ngjarjeve politike kishin evidentuar qartë luftën për pushtetin më të lartë në radhët e udhëheqësve pretendentë potencialë për kreun e shtetit. Edhe në Shqipëri, si edhe në vendet e tjera socialiste, udhëheqësi kishte marrë të gjitha masat që të qëndronte në pushtet gjithë jetën dhe të përjetësohej edhe pas vdekjes, si në Bashkimin Sovjetik, Kinë etj. Përvoja tregonte se ambiciet për pushtet dhe për t‘u bërë pasardhës shoqërohen gjithmonë me të papritura surprizuese apo fatkeqësi me ngjarje dhe me tragjedi deri edhe makabre.

Kjo shtëpi e ndërtuar me projekt të veçantë sigurie dhe të ruajtjes së fshehtësisë, ishte menduar edhe si mjedisi me standarde për njeriun që po përgatitej për marrjen e pushtetit si pasardhës i udhëheqësit. Ndërtesa do të plotësonte më së miri kushtet e dëshiruara për banim dhe si studio pune jashtë orarit zyrtar, në orët e mbrëmjes. Fatkeqësisht, ajo do të ishte edhe streha e fundit ku do të ndodhte drama misterioze e eliminimit të kryeministrit.

Oaza e ndaluar e Bllokut të udhëheqjes tregonte qartë se një numër i vogël njerëzish të elitës më të lartë politike, që kishin pushtetin real në Shqipërinë socialiste, ishin diferencuar realisht nga populli me kushtet dhe mënyrën e jetesës me ndryshime të dukshme në krahasim me ato të njerëzve të thjeshtë. Standardet e ndryshme demaskonin vetë edhe propagandën zyrtare se “udhëheqja jeton dhe punon gju më gju me popullin”.

Kur njerëzit ngrihen aq lart dhe kur nuk respektojnë vullnetin e popullit dhe nuk plotësojnë nevojat kryesore të jetesës së njerëzve që i kanë zgjedhur apo që u janë imponuar me forcë me pushtetin e tyre, vjen papritur edhe momenti që ata do të bien aq poshtë, sa humbasin të gjitha të mirat dhe privilegjet që i japin vetes dhe i gëzojnë padrejtësisht. Ata nuk e shmangin dot fundin e turpshëm as duke u mbrojtur me forcën e armëve dhe të ushtarëve të indoktrinuar. Komiteti Qendror i PPSH-së

Komiteti Qendror ishte imponuar që të shihej me admirim dhe të vlerësohej si selia qendrore më e respektuar. Njerëzit duhet të kishin në mendje dhe të ishin të bindur se atje kishte zyrën dhe punonte “udhëheqësi i dashur” me dije erudite që mendonte, ideonte dhe projektonte vizionin e tij gjenial në shërbim të popullit e të kombit, të garantimit të së ardhmes në rrugën e socializmit të udhëhequr nga Partia e Punës, në krye të shtetit të diktaturës së proletariatit.

Por me hijen e saj të rëndë ajo ishte në fakt ndërtesa që simbolizonte pushtetin absolut të diktaturës, impononte njëherësh edhe dhunën shtetërore dhe frikën ndaj cilitdo që do të guxonte të shfaqte ndonjë fjalë të pakontrolluar kundër udhëheqësit dhe regjimit të tij./ balkanewb/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?