Drama e euros, kjo nuk kishte ndodhur që prej 10 vitesh në tregun vendas: Kush humb dhe kush përfiton

Aktualitet Ekonomi

Euro është duke u këmbyer më mesatarisht 116.61 lekë gjatë ditës së sotme duke shënuar kështu nivelin më të ulët në raport me monedhën tonë të paktën që prej janarit 2012, kur Banka e Shqipërisë ka ruajtur të dhëna.

Në 1 janar 2012, një euro është këmbyer me 138.14 lekë, shifra të cilat për ditët e sotme janë një ëndërr për ata që të ardhurat i kanë në euro dhe një dramë për ata që kreditë i kanë në monedhën europiane dhe të ardhurat në lekë, raporton abcnews.al.

Në këtë periudhë, është koha që të qeshin këta të fundit dhe të qajnë ata të parët.

Kursi i kembimit euro/ lek. 1 janar 2012-26 korrik 2022. Burimi: Banka e Shqiperise

Monedha europiane kanë humbur shumë pikë krahasuar me lekun sidomos gjatë muajve të fundit dhe kjo lidhet kryesisht me flukset e mëdha hyrëse të euros në vendin tonë si edhe deklaratave për aplikimin e një amnistie fiskale.

Ekspertët vlerësojnë po ashtu si indikatorë të rënies së euros në tregun vendas edhe sezonin turistik, megjithatë ky është një fenomen stinor, ndërkohë që euro vijon që prej pranverës në nivele minimale ndaj lekut.

Ka të dhëna se gjatë muajve të fundit vërehet një rritje e ndjeshme e aktivitetit në shitjen e pasurive të paluajtshme si një formë për ta pastruar paratë në një kohë kur maxhoranca ka kaluar tashmë në Kuvend ligjin për amnistinë fiskale, i cili kundërshtohet nga grupet e interesit siç janë Dhoma Amerikane e Tregtisë apo edhe vetë zyra e KE-së në Tiranë.

Kush përfiton

Të parët që përfitojnë nga situata e krijuar në treg janë të gjithë ata që i kanë të ardhurat në lekë dhe detyrimet, siç mund të jenë kreditë apo qiratë, në euro. Nëse për të blerë 100 euro në janar 2012 atyre do t’iu duhej të paguanin 13 814 lekë, sot paguajnë vetëm 11 661 lekë duke kursyer 2 153 lekë. Po ashtu, përfitues të rendësishëm nga kjo situatë janë edhe bizneset që importojnë nga eurozone ku tashme mund të blejnë më shumë mallra dhe shërbime me të njëjtën sasi lekësh krahasuar me vitin 2012.

Kush humb

Të humburit e mëdhenj janë ata që të ardhurat i kanë në euro dhe shpenzimet, siç mund të jenë kredi, qira apo edhe shpenzime për konsum të përditshëm. Nëse me 100 euro ata fusnin në xhep 13 814 lekë në vitin 2012, sot fusin vetëm 11 661 lekë duke humbur praktikisht 2 153 lekë.

Eksportuesit po ashtu preken nga kjo situatë pasi blerësve nga eurozone do t’u duhet të fusin më shumë euro në përdorim për të blerë të njëjtën sasi mall inga Shqipëria krahasuar me vitin 2012. /abcnews.al

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?