Zbulohet “shtëpi bari” në Fier, sekuestrohen heroinë e mijëra fara kanabisi

Aktualitet

Policia e Fierit ka finalizuar një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Policia ka zbuluar një “shtëpi bari”, ku ka sekuestruar 17.5 kg kanabis në proces tharjeje dhe 1448 fara kanabis, si dhe një sasi prej 208 gramë heroinë.

Në pranga ka rënë pronari i njërës banesë, shtetasi Selman Gropa, dhe janë shpallur në kërkim dy djemtë e tij, Elsem e Gazmend Gropa.

Ndërkohë, në pranga ka rënë edhe një grua, shtetasja Valentina Gropa, e cila kishte kishte kultivuar bimë narkotike në një sipërfaqe toke në pronësi të saj.

Njoftimi i policisë:

Operacioni policor i koduar “Grizë”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier.

Sekuestrohen 208 gramë heroinë, 17.5 kg kanabis në proces tharjeje dhe 1448 fara kanabis. Asgjësohen fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike, që ishin kultivuar në afërsi të dy banesave të ndryshme.

Gjithashtu sekuestrohen 3 granata difensive dhe ofensive, 2 armë gjahu pa leje, 391 fishekë luftarak, 3 peshore elektronike dhe 2 pajisje që shërbenin për përpunimin e lëndës narkotike.

Vihet në pranga pronari i njërës nga banesat, shpallen në kërkim 2 djemtë e tij.

Gjatë operacionit u vu në pranga edhe 1 shtetase tjetër që kishte kultivuar bimë narkotike në një sipërfaqe toke në pronësi të saj.

Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore se në një banesë në lagjen “29 Marsi”, Patos, kultivohej dhe prodhohej lëndë narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Grizë”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. G., 66 vjeç, banues në Patos.

Po në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy djemve të 66-vjeçarit, shtetasve E. G., 39 vjeç dhe G. G., 26 vjeç, të cilët dyshohet se kryenin në bashkëpunim aktivitetin kriminal.

Gjatë kontrollit në lagjen “29 Marsi”, në banesën e këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 208 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 17.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, 1448 fara kanabisi, 3 granata difensive dhe ofensive, 2 armë gjahu pa leje, 391 fishekë luftarak, 3 peshore elektronike dhe 2 pajisje që shërbenin për përpunimin e lëndës narkotike. Gjithashtu, u asgjësuan bimë të dyshuara narkotike kanabis, që ishin kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të kësaj banese dhe fidanë të dyshuar kanabis, të kultivuar në kubikë.

Në vijim të kontrollit të territorit, në zonën ku po zhvillohej operacioni, në një sipërfaqe toke në pronësi të shtetases V. G., u gjetën të kultivuara bimë narkotike të dyshuara kanabis. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetases V. G., 54 vjeçe, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?