Meta dekoron shqiptarët në Turqi, reciton Naim Frashërin: O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka

Aktualitet

 Presidenti Ilir Meta është pritur nga dega e shoqatës “VATRA” në Stamboll dhe qindra bashkëkombas tanë të diasporës të vjetër dhe të re në Turqi. Në njoftimin e sjellë nga vetë Presidenca bëhet me dije se takimi u zhvillua në Qendrën Kulturore të Maltepe. Vetë Presidenti Meta u shpreh se është i lumtur që ndodhet atje, mes përfaqësuesish nga e gjithë Turqia. Meta ka shtuar se shqiptarët janë dalluar për bashkëjetesën dhe pjesëmarrjen aktive në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Presidenca bën me dije se me këtë rast, Presidenti Meta çmoi disa figura të shquara shqiptaro-turke: Me Dekoratën “Nënë Tereza” u nderua zonja Mukades Koçeri: “Në vlerësim të jetës, veprës dhe ndaj humanizmit të dëshmuar, si dhe ndihmës së pakursyer për arsimimin e fëmijëve në Kosovë. Me mirënjohje ndaj atdhedashurisë dhe ruajtjes së gjuhës amtare, duke mishëruar vlerat dhe traditat më të mira shqiptare.”.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” u dekorua zoti Sokol Brahaj: “Në vlerësim të aktivitetit të spikatur e të pandërprerë në promovimin e vlerave të traditës, kulturës dhe gjuhës shqipe te shqiptarët e Turqisë, si dhe për forcimin e lidhjeve mes popullit shqiptar dhe atij turk”; si dhe zonja Bora Zukali: “Me mirënjohje ndaj veprës dhe kontributeve atdhetare të dhëna për promovimin e kulturës, historisë, traditës kombëtare shqiptare, si dhe të drejtave të shqiptarëve të Turqisë, duke forcuar më tej lidhjet miqësore mes popullit shqiptar dhe atij turk”.

Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri” Presidenti Meta dekoroi zotin Serdal Vardal: “Me mirënjohje ndaj kontributit të dhënë në drejtimin e Qendrës së Kulturës Shqiptare në Ankara, duke bashkuar komunitetin e vjetër me atë të ri shqiptar, si dhe për forcimin e lidhjeve mes popullit tonë dhe atij turk.”; zotin Trashëgim Hysejni:“ Me mirënjohje ndaj kontributeve si drejtues i Departamentit të Gjuhës Shqipe pranë TRT-së, për promovimin e vlerave kulturore, gjuhësore dhe traditës së bashkësisë shqiptare në Turqi, si dhe për hapjen e Qendrës së Kulturës Shqiptare në Ankara.”. si dhe zotin Halil Őzcan: “Në vlerësim të kontributit të dhënë si studiues i historisë së marrëdhënieve turko-shqiptare, përmes kërkimeve krahasimore arkivore, që ka çuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy popujve. Me mirënjohje ndaj rolit të tij të rëndësishëm në evidentimin e identitetit dhe veprave të shqiptarëve në Turqi përgjatë rrjedhës së historisë”; zonjën Teuta Tabaku: “Me mirënjohje ndaj meritave të veçanta civile në përçimin dhe trashëgimin e gjuhës shqipe te bashkësia shqiptare në Turqi, sidomos te ajo e rajonit të Bursës, duke kontribuar në promovimin e traditave dhe vlerave të vyera kombëtare shqiptare”.

Fjala e Ilir Metës:

Jam i lumtur të ndodhem mes jush, përfaqësues nga e gjithë Turqia, vendin ku ndodhet diaspora më e madhe shqiptare në botë.  Prej shumë vitesh në historinë tonë të përbashkët shqiptarët janë dalluar për bashkëjetesën dhe pjesëmarrjen aktive në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Siç dihet nga historia, shumë personalitete shqiptare arritën në majat më të larta të jetës politike, ekonomike, kulturore e shoqërore të Turqisë.  Kryeministra dhe ministra, ushtarakë, artistë, sportistë, njerëz të letrave dhe intelektualë të shquar kanë dhënë një kontribut të madh për këtë vend, por edhe për vendin amë. Përmendim Hoxha Tahsinin, themeluesin dhe rektorin e parë të Universitetit të parë modern, që sot ka emrin Universiteti i Stambollit, i konsideruar në atë kohë si një ndër më të mirët në botë, Mehmet Akif Ersoyn, autori i himnit kombëtar të Turqisë, të paharruarit vëllezërit Frashëri: Samiun, Abdylin dhe Naimin, babain e shtetit shqiptar, Ismail Qemalin, rilindasit tanë Pashko Vasa, Kostandin Kristoforidhi, si edhe figura të tjera të shquara, që jetuan e punuan këtu, duke dhënë një kontribut thelbësor në rizgjimin kombëtar të shqiptarëve. Por edhe gjatë tri dekadave të fundit, shqiptarët janë integruar më së miri në jetën e Turqisë, duke arritur suksese në sipërmarrje, arsim, politikë, kulturë, dhe në fusha të tjera.

Si diaspora e vjetër, ashtu edhe diaspora e re kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në promovimin e traditës kombëtare, kulturës, historisë, dhe vlerave tona më të larta. Në të njëjtën kohë, ata kanë kontribuar shumë edhe në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis dy popujve tanë. Shqipëria dhe Turqia gëzojnë marrëdhënie të gjata e të ngushta miqësore. Këto marrëdhënie janë dhe do të qëndrojnë të tilla sepse në themel të tyre është miqësia dhe lidhja e ngushtë ndërmjet popujve tanë, ku ju, disapora shqiptare në Turqi, keni një rol të pazëvendësueshëm. Ne jemi krah njëri-tjetrit si aleatë në NATO, çka në zhvillimet e sotme merr një dimension edhe më të rëndësishëm. Kemi marrëdhënie të qëndrueshme dhe pozitive, e cila pasqyrohet edhe sot në të gjithë sektorët e jetës, në mënyrë të veçantë marrëdhënie të mira në ekonomi dhe investime. Së fundmi, vëllimi i tregtisë dypalëshe midis Turqisë dhe Shqipërisë ka rritur shifrën e rreth 761 milionë dollarëve, dhe investimet e Turqisë në Shqipëri arrijnë vlerën e 3.5 miliardë dollarë. Gjithashtu, kontribut në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ka Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, që hyri në fuqi që nga viti 2008 me qindra kompani turke të regjistruara në Shqipëri, ku janë të punësuar me mijëra persona, e bëjnë Turqinë një nga investitorët e huaj më të rëndësishëm në vendin tonë. Vlen të përmendim TIKA-n (Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit), që ka nisur veprimtarinë e saj që nga viti 1996, duke realizuar shumë projekte dhe aktivitete në vendin tonë në mbështetje të restaurimit të shumë monumenteve historike, me mbështetje financiare për përmirësimin e bujqësisë, blegtorisë, shëndetësisë, arsimit, etj. Po kështu shfrytëzoj këtë rast të falënderoj popullin dhe autoritetet turke, të cilat menjëherë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, dërguan ekipet e kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e qytetarëve nga rrënojat, duke dhënë edhe një ndihmë të madhe për ndërtimin e shumë banesave për familjet e prekura nga ajo katastrofë natyrore.

Një akt humanitar që u pasua edhe me ndihmesën e Turqisë për vendin tonë gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Për të gjitha këto shprehim mirënjohjen tonë të thellë. Shpreh bindjen e plotë se Turqia dhe Shqipëria do vazhdojnë ta rrisin bashkëpunimin në të gjitha sektorët: në sektorin e turizmit, sipërmarrjes, bujqësisë, blegtorisë, ujit dhe peshkimit, e në fusha të tjera. Diaspora shqiptare në Turqi është një krenari kombëtare, dhe përçuese e vlerave tona më të larta. Suksesi i çdo shqiptari këtu është edhe sukses edhe i vendit tonë, pasi me punën, arritjet, dhe me kontributin tuaj, ju keni shërbyer e vazhdoni të shërbeni si ambasadorë më të mirë të traditës, të kulturës, të historisë së Shqipërisë, dhe mbi të gjitha të vetë shpirtit dhe zemrës së shqiptarit që rreh gjithmonë për Atdheun.

Siç shkruajti edhe poeti ynë kombëtar Naim Frashëri:

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka

Më je nënë, më je motër, më je vlla.

Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,

Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.

Do të na nxisni gjithonë për vepra edhe më frymëzuese në shërbim të kombit tonë, që na bëjnë të gjithëve krenarë kudo ku jemi. Edhe një herë mirënjohje për të gjithë ju dhe për të gjithë motrat dhe vëllezërit që jetojnë në Stamboll e në Turqi!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?