Gjici: Ti je mashtrues, gënjeshtar, pipino

Sport

Kukësi dështoi të zinte një vend në krye të renditjes së kampionatit për t’u përfaqësuar në kupat e Europës dhe kjo solli shkarkimin e teknikut Italian, Diego Longo.

Pak ditë më vonë, Longo dhe Presidenti i Nderit të Kukësit, Safet Gjici u përplasën ashpër mes tyre në dy intervista në Panorama Sport, ku akuzonin njeri tjetrin për dështimin e sezonit.

FIllimisht ishte Longo i cili tha se ekipi dështoi pasi në fazën e dytë pati shumë presion, nuk u bë merkato që ai kërkoi dhe u dëmtua prej njerëzve që i rrinin afër Presidentit.

“Ia kam dhënë unë presidentit listën e të pandershmëve dhe jam krenar që eliminova disa zakone të pashëndetshme apo që largova persona që nuk ndihmonin klubin, por mendonin vetëm për vete. Për fat të keq, kur bën zgjedhje të tilla atëherë bëhesh i padëshirueshëm, mbi të gjitha sepse për shkak të edukatës dhe respektit, nuk i denoncon publikisht këta persona. Për shembull, zakoni për të dhënë 2000 euro nga një i ri që të mund të stërvitej me skuadrën e parë ishte një turp”, tha Longo.

Nga ana tjetër i ashpër ishte edhe reagimi i Gjicit i cili e quan gënjeshtar, të paaftë dhe mashtrues teknikun Italian. “Është mashtrues ai, gënjeshtar, pipino… E di si është puna e këtyre tani, e la ekipin pa shkuar në Europë, bëri gjënë më të keqe. Unë si president nderi i ekipit, sepse nuk kam qenë aty, se po të isha aty nuk do të guxonte të rrinte më shumë se tre muaj me atë menaxhim që i bëri skuadrës. Por, ishte një trajner që klubi i dha një mundësi, sepse vjen nga bota e jashtme dhe e morëm me idenë të bëjmë një punë në ekipin e Kukësit. Mori një ekip që ka qenë një herë kampion, disa herë nënkampion, fitues i Kupës dhe Superkupës, dhe vjen Longo na tregon neve se cila është skuadra e Kukësit. Do t’i thosha atij zotërisë të shkojë dhe ta mbyllë gojën dhe të mos e dëgjoj më edhe si emër, se ai nuk është trajner”, thotë Safet Gjici.

“Ia dhashë unë Gjicit listën e të pandershmëve”, shpërthen Longo: Turp, te Kukësi lojtarët paguanin 2 mijë euro për…

Longo pranon se ishte ai që kohë më parë u kishte thënë drejtuesve që nuk do të vazhdonte më në krye të klubit, edhe nëse arrihej Europa, ndaj nuk mërzitet që për largimin e tij u vendos para finales së Kupës së Shqipërisë. Longo është dakord me deklaratat e Gjicit, që në klubin e Kukësit ka pasur dallaveraxhinj, teksa ka qenë vetë italiani që ia ka bërë të ditur këta njerëz. Në fund, ai zbulon edhe ngjarje tronditëse, teksa paguheshin deri në 2 mijë euro që një lojtar i ri të stërvitej në ekipin e parë dhe, sipas tij, kjo ishte absolutisht e papranueshme, duke bërë që të kishte shumë armiq në klub. Në fund ai lë të hapur çdo mundësi rikthimi në futbollin shqiptar, edhe pse vetëm pak ekipe plotësojnë kushtet e tij.

Longo

E keni parë finalen e Kupës mes Vllaznisë dhe Laçit?

Jo, kam kaluar një mbrëmje me familjen dhe miqtë.

Ju vjen keq që Kukësi nuk do të jetë tani në Europë?

Më vjen shumë keq për lojtarët dhe tifozët.

E prisnit të përfundonte marrëveshja me Kukësin apo shpresonit për një sezon tjetër?

Prej kohësh e kisha komunikuar vendimin tim për të mos qëndruar në Kukës. Nuk kishte kushte për qëndrimin tim në Kukës.

Si ju duk vendimi që pa e ditur nëse keni marrë pjesë apo jo në Europë, u larguat?

Siç thashë, për sa më përket mua, ishte një vendim i marrë tashmë që e kisha komunikuar prej kohësh, kështu që nuk ishte ndonjë surprizë. Europa apo rezultatet nuk ishin vendimtare për qëndrimin tim.

Fakti që 3 orë pas largimit tuaj u gjet trajneri ri, a lë të kuptohet se ndërprerja e kontratës ishte menduar prej kohësh?

Kontrata ime skadoi në fund të sezonit dhe me ardhjen time kisha kërkuar një klauzolë, ku si klubi ashtu edhe unë mund të ndërprisnim në çdo kohë pa asnjë ndëshkim. Detyrimet e vetme ishin në lidhje me stafin tim, edhe pse nuk janë respektuar deri më sot.

Si do ta përshkruanit këtë eksperiencë që keni pasur në Kukës?

Shumë impenjative, por pozitive. Në 10 muaj ne kemi shkuar nga një vlerësim prej 3.1 milionë në 4.7, sipas vlerësimeve të transfertave të tregut. 90% e lojtarëve luajtën sezonin më të mirë në karrierën e tyre, sipas të dhënave dhe statistikave të INSTAT dhe “Wyscout”. Luajtën 10 nën 21 vjeç, 9 prej të cilëve disa herë nga minuta e parë.

Ne kemi përmirësuar organizimin dhe kushtet e përgjithshme falë një autobusi të ri, një menaxheri të ri ekipi pranë ekipit, një staf të ri mjekësor me përfshirjen e një mjeku, një kontratë me një qendër mjekësore të shkëlqyer për të lënduarit, riorganizimin e pajisjeve dhe udhëtimit.

Të gjitha gjërat që duken të qarta, por që nuk ishin aty kur mbërrita dhe që i ndërtuam dhe i arritëm me shumë përpjekje. Askush nuk e ka idenë se sa herë nuk kemi pasur terrenin për stërvitje, uniformat apo edhe vetëm topat. Tashmë janë bazat për të punuar me profesionalizëm dhe seriozitet.

Për cilat gjëra keni pasur më shumë përplasje me presidentin?

Presidenti është larg ekipit dhe ka një perceptim të dobët të asaj që po ndodh brenda. Personat tek të cilët ai beson dhe që duhet ta mbajnë të informuar e të mbrojnë grupin nuk janë në nivelin e duhur dhe shpesh kanë interesa të tjerë, të cilët nuk përkojnë me ata të klubit.

Nuk pati përplasje të mëdha, por as një marrëdhënie të madhe edhe për shkak të gjuhës, sepse ai flet vetëm shqip. E respektoj dhe duke qenë se jam i vetmi italian që kam trajnuar për një sezon të tërë në historinë e Kategorisë Superiore dhe një nga 2 të vetmit në historinë e Kukësit, ndoshta duhet ta falënderoj edhe për besimin, pavarësisht faktit që gjatë vitit ai nuk bëri shumë për ta vërtetuar atë për mua.

A është e lehtë të punosh në Shqipëri, ku dallon nga vendet e tjera?

Ka vështirësi si kudo, por mendoj se ka shumë ndryshim në mënyrën e punës mes klubeve shqiptare; prandaj, në disa shoqëri është më e lehtë dhe më e këndshme, në të tjera pothuajse e pamundur.

Krahasuar me vendet e tjera, dallon kryesisht në organizimin që është ende i mangët, por mbi të gjitha në mungesën e dëshirës për të kërkuar përmirësim. Nuk është çështje ekonomie, por mentaliteti, të paktën në realitetin që kam përjetuar. Për shembull, nga sa pashë, drejtuesit që kam takuar dhe çfarë kam dëgjuar nga lojtarët dhe stafi i Kategorisë Superiore, Partizani dhe Tirana janë 2 klube të mëdha, të organizuara dhe ambicioze, pa dyshim më të lartë se të tjerët.

Çfarë ju ka befasuar më shumë nga Shqipëria si vend dhe futbolli në veçanti?

Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por thuajse duket se po frenon të ardhmen e saj, i mungon vetëvlerësimi dhe besimi. Fraza më e përsëritur që më shqetësoi më shumë ishte ‘kjo është Shqipëria, nuk mund të bësh asgjë për të’. Jam i bindur se përkundrazi mund të bënim shumë, por duhet të përveshim mëngët dhe të merremi me punë, pa kërkuar rrugë të shkurtra. Është çështje mentaliteti. Në planin afatgjatë, puna dhe kompetenca gjithmonë shpërblehen.

Në pjesën e parë të kampionatit ishte një Kukës i bukur dhe me rezultate. Në pjesën e dytë pati probleme, çfarë ndodhi?

Pati një sërë pengesash që sigurisht e komplikuan pjesën e dytë. E para ishte paradoksalisht rruga e mrekullueshme e periudhës së parë, e cila rriti pritshmëritë rreth ekipit. Kam luftuar për të mbajtur presionin jashtë ekipit, por mbeta vetëm. Kur i shpjegova se pa përvojë apo zakon për të fituar si skuadër, duhet të mendosh për një lojë në një kohë, klubi preferoi të rriste më tej presionin mbi djemtë, duke i bërë ata të luanin me frikë.

E dyta ishte se që në tetor kisha kërkuar përforcime për fillimin e janarit për të lejuar që të rinjtë të përshtateshin, por sa herë që një lojtar ishte gati të firmoste dhe të vinte në Kukës, dilte një problem nga kushtet e kontratave të propozuara nga avokati i klubit dhe marrëveshja mungonte. Kjo kishte ndodhur tashmë në fillim të sezonit, por në mes të sezonit ishte vendimtare, edhe sepse patëm mundësinë të sillnim disa lojtarë vërtetë të fortë.

Në vend të kësaj, arritëm në fund të janarit dhe gjithçka ishte më e vështirë. E treta ishin dëmtimet e Tafas dhe Shkurtajt, si dhe mungesa e Feizhaos dhe Milunoviçit për gati dy muaj. Shumë për skuadrën tonë. Do të ishte njëlloj sikur të largoheshin nga Tirana Seferi, Xhixha, Hoxhallari dhe Bekaj… Të fundit ishin disa interpretime të bujshme të arbitrave, që me pranimin e vetë arbitrave, i hoqën shumë pikë në luftën për vendin e tretë.

Presidenti Gjici ka akuzuar se ka punuar në klub gjatë kësaj periudhe me dallaveraxhinj (pa thënë se kush janë ata). Ju prek pak kjo gjë, keni një koment?

Ia kam dhënë unë presidentit listën e të pandershmëve dhe jam krenar që eliminova disa zakone të pashëndetshme apo që largova persona që nuk ndihmonin klubin, por mendonin vetëm për vete. Për fat të keq, kur bën zgjedhje të tilla atëherë bëhesh i padëshirueshëm, mbi të gjitha sepse për shkak të edukatës dhe respektit, nuk i denoncon publikisht këta persona. Për shembull, zakoni për të dhënë 2000 euro nga një i ri që të mund të stërvitej me skuadrën e parë ishte një turp.

E them këtë sepse kjo jo vetëm që shkatërronte meritokracinë te të rinjtë, por në të njëjtën kohë i bënte ata të ndiheshin sikur kishin të drejtë edhe të luanin, sepse kishin paguar. Fakti që unë vendosa t’i luftoja këto prapësira më solli shumë probleme dhe më shtoi armiqtë. Persona që gjatë sezonit më kanë sulmuar mua dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur për interesa krejtësisht personale dhe dashakeqe.

Menaxhimi që iu bë disa prej blerjeve të fundit ishte një tjetër arsye e madhe për t’u shkëputur me një pjesë e mjedisit, por për mua është e rëndësishme të jem në gjendje të shihem në pasqyrë pa pasur turp nga vetja. Nëse unë punoj për dikë, atëherë bëj të pamundurën për interesat e tij dhe nuk mundem kurrë ta dëmtoj për përfitime të miat personale. Ndoshta kjo nuk u kuptua si duhet nga presidenti.

Do ta shqyrtonit një rikthim në futbollin shqiptar me një ekip tjetër. Keni pasur ndonjë ofertë?

Asnjëherë mos thuaj kurrë, por duke njohur futbollin shqiptar dhe veten time, mendoj se mund të punoj vetëm në 2 ose 3 klube, pra ku ka respekt për profesionistët, ambicie dhe vullnet për të punuar për t’u përmirësuar.

Në futboll asnjëherë nuk i dihet, a mund të kthehesh një ditë në Kukës?

Unë e dua shumë Kukësin dhe njerëzit e tij, por mendoj se ndryshimi mes meje dhe drejtuesve aktualë për nga stili dhe ambiciet është shumë i madh. Për mua vlerat njerëzore si respekti, serioziteti dhe sinqeriteti janë thelbësore.

Keni ndonjë këshillë për trajnerin e ri të Kukësit në lidhje me ekipin që ka në dispozicion?

Ai do të dijë shumë mirë se çfarë të bëjë dhe me kë të përballet, e njeh mirë Kukësin dhe zakonet e tij.

Çfarë ju ka mbetur peng nga kjo aventurë që keni pasur në Kukës?

Puna e përditshme në fushë ishte shumë shpërblyese dhe e këndshme për aplikimin dhe gatishmërinë e madhe të lojtarëve dhe stafit tim dhe për lojën që arritëm të bënim.

Por edhe kënaqësia e marrëdhënies me njerëz të mirë dhe profesionistë të shkëlqyer si Pejiç, Erjon, Iris Selimi apo edhe kolegë e drejtues të ekipeve të tjera, si Shehi, Daja edhe Ildi Dajlani. Ishte një eksperiencë e madhe dhe do të mbaj një kujtim të mirë për Shqipërinë.

“Bënte si Murinjo por ka qenë mbledhës topash”, Gjici shpërthen në akuza kundër Longos: Në Vlorë desh e therën si kec

Safet Gjici ndihet shumë i rënduar dhe nervo zuar për ato që ka lexuar një ditë më parë në “Panorama Sport”, ku ish-trajneri i tij te Kukësi, Diego Longo, akuzonte se më parë paguheshin nga 2 mijë euro nga të rinjtë për të luajtur në ekipin e parë. Në reagimin e tij ekskluziv për gazetën, Safet Gjici, i thotë të gjitha për ish-trajnerin e tij, të cilit refuzon t’i përmendë edhe emrin, duke nënkuptuar se ka bërë gabimin më të madh që i ka dhënë besim, që sipas tij Longo nuk e meritonte. Gjici nuk zbulon emra se cilët ishin dallaveraxhinjtë që fliste ai edhe Longo, por të gjithë reagimin e tij e lidh me besimin që i dha dikujt, që sipas tij, nuk e meritonte.

“Është mashtrues ai, gënjeshtar, pipino… E di si është puna e këtyre tani, e la ekipin pa shkuar në Europë, bëri gjënë më të keqe. Unë si president nderi i ekipit, sepse nuk kam qenë aty, se po të isha aty nuk do të guxonte të rrinte më shumë se tre muaj me atë menaxhim që i bëri skuadrës. Por, ishte një trajner që klubi i dha një mundësi, sepse vjen nga bota e jashtme dhe e morëm me idenë të bëjmë një punë në ekipin e Kukësit. Mori një ekip që ka qenë një herë kampion, disa herë nënkampion, fitues i Kupës dhe Superkupës, dhe vjen Longo na tregon neve se cila është skuadra e Kukësit. Do t’i thosha atij zotërisë të shkojë dhe ta mbyllë gojën dhe të mos e dëgjoj më edhe si emër, se ai nuk është trajner”, nis bisedën për gazetën Safet Gjici.

Më tej, presidenti i nderit vijon edhe me justifikimet që sillte Longo për mungesën e rezultateve. “Ju e keni parë besoj se çfarë ka thënë nëpër studio televizive, kur kishte ndeshje fliste për dritat që mungonin te kompleksi i Redi Jupit. E imagjinoni, merrej me gjëra të rëndomta që nuk kishin lidhje me rezultatet, vetëm për të justifikuar mungesën e rezultateve fliste në atë mënyrë dhe klubi e ka duruar, ashtu si edhe unë, sepse edhe unë kisha përgjegjësi për atë, sepse bashkia ka pasur aksione deri dje aty dhe e kemi duruar jashtë mase. Me një eksperiencë zero në Superiore, i dhamë një ekip që ka fituar shumë. Ai thoshte: mora një ekip që vitin e kaluar ishte në vendin e 6-të dhe e solla në vendin e tretë. Ku është vendi i tretë sivjet”, vijoi më tej Gjici

DALLAVERAXHINJTË Në lidhje me faktin që Longo ka pohuar se ai ia ka bërë të ditur presidentit dhe klubit se cilët janë dallaveraxhinjtë në skuadër, Gjici e konsideron një gënjeshtër. “Është gënjeshtër ajo që ka pohuar që i kam thënë presidentit apo klubit për dallaveraxhinjtë. Asnjëherë nuk ka thënë me emra konkretë. Por, kur nuk arriti asgjë, as Europën, me një sezon të dështuar, ku iu plotësuan të gjitha kushtet. Në dy fazat e para nuk i kishte këto ai, pse i nxori tani ku në 13 ndeshje nuk mori asnjë fitore. Ishim 13 pikë para Partizanit, erdhi e kaloi dhe i mori vendin e tretë. Ky së bashku me stafin e vet, ata dy bishtat që kishte, doli trajner totalisht i dështuar. Ky zotëri është me probleme shëndetësore, nuk është puna te problemi i rezultatit.

13 ndeshje pa asnjë fitore ekipi i Kukësit, ishte diçka shumë e rëndë. U mundën me katër apo pesë gola. Nuk e njeh vetëm ai ekipin e Kukësit që erdhi dje dhe për herë të parë i besuam një ekip që kalonte gjithë ato ture në Europë e me ata trofe dhe ia besonte një trajneri me eksperiencë zero në Superligë. Nuk fliste për anën teknike të ndeshjes, por fliste që nuk ka gjatë ditës drita te kompleksi. Ishte joserioz, pa karakter. Unë e kam takuar gjithsej tri-katër herë dhe na tregon tani që paska dallavere të tilla në klub që na i paska treguar dhe klubi mori masa për këto dallavere me dy mijë euroshe.

I kishte hequr me kohë klubi ata. Të ishte e vërtetë kjo, ai do të shkonte te klubi dhe do të thoshte: filani, filani bën këto. Është gënjeshtar, absolutisht nuk ka thënë gjë. Unë i kam kapur vetë gjërat në fund tani që dolën sipër njëri-tjetrit të gjithë. Prandaj më vjen inat, se si mund të flasë një njeri në këtë mënyrë që është i dështuar dhe ka bërë një sezon të dështuar. Ai merrej me kontratat e ekipeve të tjera kundërshtare. Kur ka thënë për disa persona ata nuk kanë qenë pjesë e stafit të tij njëherë. Nuk donte më Rraman Hallaçin në klub, e largoi që në fillim. Nuk dua Jonuzin, e largoi. Çfarë ka dashur i ka larguar dhe ka mbajtur stafin e vet. Për të justifikuar sezonin e dështuar, dhe klubi ka humbur shumë këtë sezon. Mori lojtarë në janar që ishin të dështuar, i mori ky vetë personalisht. Dhe në fund i largoi po vetë. Ky është një njeri që nuk kupton nga futbolli, ka probleme serioze, e mora nga hiçi si ndihmësi i 15-të i Luçeskut, i bëmë kontratën nuk e realizoi”, sqaroi me tej Gjici.

DURIMI I pyetur pse klubi nuk e shkarkoi pas gjithë këtyre problemeve, Gjici pohoi se e duruan për shkak se ishte një trajner i ri dhe i huaj, ndaj i dhanë mbështetjen. Madje, duke vijuar me akuzat, Gjici pohon se Longo nuk donte ta fitonte ndeshjen e fundit me Tiranën. “Ky është problem, e duruam shumë si klub, me mendimin se është trajneri i ri, i huaj dhe ta mbështesim. Klubi duroi deri kur arriti të marrë atë që mori, sezon totalisht i dështuar, humbje totale për klubin. Ka pasur një kontratë, ku duhet të merrte titullin kampion, Kupat e Europës dhe pagat do t’i merrte kur të realizonte objektivat së bashku me premiot, sepse ashtu e mori përsipër. Jo vetëm që nuk i realizoi këto, por ndeshjen e fundit me Tiranën as nuk donte ta fitonte, është e çuditshme.

Pra, një njeri kaq cinik, shpifës, akuzues për të tjerët, duke shpërdoruar besimin e klubit dhe bëmë gjithë ato shpenzime. Mirë stadiumin, po kërkoi autobus të ri, ia plotësuam. Infrastrukturën ia plotësuam. Shkonte në stërvitje dhe ngatërrohej andej, po na vijnë spiunët na vëzhgojnë ndeshjet, duke kërkuar nëpër male për të hequr spiunët! Po verifikonin Murinjon atje. Edhe ky zotëria bënte si Murinjo, ku nuk kishte as tre muaj që merrte një ekip në Superligë. Një ekip që i ka dhënë tonin kampionatit shqiptar, thoshte që e kam marrë vjet në vend të gjashtë dhe e kam nxjerrë në vend të tretë, të cilin në fund nuk e kapi dot. Për çfarë mund të besohet më ky palo mashtrues dhe ju lutemi mos më merrni më për këtë njeri, sepse ky njeri është i papërgjegjshëm, ka probleme te truri. Nuk është trajner profesionist, ngatërrohej me analistët në studio për budallallëqe kot për të mbuluar humbjen e ndeshjes”, vijon kryebashkiaku i Kukësit.

AKUZAT Gjici vijoi më tej me akuzat ndaj ish-teknikut të tij, duke përmendur në tërësi edhe trajnerët e huaj që shpesh krijojnë alibi për mungesën e rezultateve. “Njeri joprofesionist, pa karakter, pa moral, njeri që nuk ka lidhje me këtë punë. Ai ka qenë një mbledhës topash atje, ndihmës i 15-të atje ku ka qenë, i dha besimin klubi me mendimin për t’i dhënë pak hapësirë një trajneri nga jashtë dhe t’i japë besimin një të riu, ky nuk e justifikon. Kishte qenë njëherë te Vlora para ca vitesh, më thotë dikush, e kishin kapur dhe desh e therën si kec. Ishte budalla komplet, jam habitur, sepse njeriu ndien njëfarë përgjegjësie mbi veten. Thotë me veten, ju më mbajtët, më duruat këtu, faji është imi. Nuk mban përgjegjësi fare, fajin e kanë të tjerët sipas tij.

E patë ju edhe trajnerin e Vllaznisë çfarë bëri. Kur ishte mirë Vllaznia vjet, nuk foli për fushat, sivjet që nuk ishte mirë foli për fusha patatesh. Këta trajnerë do të na tregojnë ne stadiume me standarde europiane. Të jenë trajnerë këta me emër në Europë dhe të thuash hajde se po kërkojnë kushte, por këta janë mbledhës topash. Në vend që t’i kërkojë falje klubit, që bëri gjithë atë dështim, ndërsa klubi ka shpenzuar shumë dhe tani tallet me këto deklarata. Ai është një trajner që nuk meriton as kategorinë ZH, me aq sa kam parë unë. Është njeri që nuk dëgjon specialistët, merret me fjalë kafenesh dhe thashetheme. Unë e kam mbrojtur të them të drejtën, por ai u ngatërrua me të gjithë dhe nuk e dëgjova njëherë të thoshte që këtë ndeshje e humba unë, është përgjegjësia ime”, përfundoi prononcimin e tij Safet Gjici.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?