LAJM I FUNDIT/ Dënimi për Moisi Habilaj merr formën e prerë, 15 vite burg
Dënimi për Habilajn, për trafikim të lëndëve narkotike dhe grupit të strukturuar kriminal merr formën e prerë. Moisi Habilaj u arrestua në vitin 2017 së bashku me 11 persona të tjerë, të cilët kryenin transportin e drogës nga Shqipëria në Sicili.
Refuzimi i ankesës nga Gjykata e Lartë dhe dënimi me 15 vjet e 5 muaj i cili bëhet përfundimtar. Ky është rezultati i seancës që u mbajt dje përpara seksionit të tretë të Piazza Cavour, në Romë.
Në vitin 2017, shqiptari përfundoi në qendër të hetimit të “Trëndafili i erërave” nga Guardia di Finanza e Katanias për një maksi- trafik droge në linjën Shqipëri-Sicili. Së bashku me Habilajt përfunduan në pranga njëmbëdhjetë persona të tjerë me hetimin që pas pak javësh u zgjerua më tej duke përfshirë edhe ish-ministrin e Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri i cili është kushëri i trafikantit të drogës. Pozicioni i politikanit, megjithatë, është arkivuar me kërkesë të prokurorisë.
Por Habilaj, i cili e kishte bazën e operacioneve mes Katanias, Lentinit dhe provincës së Raguzës, nuk do të shkojë pas hekurave të paktën për momentin. Që nga fillimi i janarit 2021, trafikanti i drogës i ka humbur gjurmët dhe nuk është më i kapshëm. Një arratisje – e zbuluar nga MeridioNews – e mbështjellë në mister, me disa aspekte jo shumë të qarta dhe për të cilat policia nuk është shprehur asnjëherë në mënyrë zyrtare.
Datat që duhet të rrethohen me të kuqe në kalendar janë dy. Ajo e datës 17 dhjetor 2020, kur në procesin e Apelit mbërrin konfirmimi i dënimit me 15 vjet e 5 muaj dhe ajo e 30 dhjetorit 2020. Ditën e fundit Habilaj merret nga policia dhe dërgohet në komisariatin e Caltagirone. Disa orë ballë për ballë me agjentët, nuk dihet pse, dhe më pas kthimi në shtëpinë e San Michele di Ganzaria, ku burrit i ishte bashkuar tashmë gruaja e tij që ishte larguar nga Shqipëria. Kalojnë disa ditë, gruaja niset për në Ballkan dhe trafikanti zhduket në ajër, duke filluar të fshihet. Që atëherë heshtje absolute.
Burri, pavarësisht thashethemeve të vazhdueshme nga Shqipëria, nuk është përfshirë asnjëherë zyrtarisht në programin e mbrojtjes të rezervuar për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Të vetmet indikacione që iu dhanë magjistratëve ishin ato të dhëna gjatë gjykimit të shkallës së parë, kur Habilaj u ndalua në burgun Bicocca në Catania. Pak pranime dhe asnjë akuzë ndaj ish kushëririt ministër. Çështja e drejtësisë italiane ka pasur një vazhdimësi jo vetëm politike por edhe hetimore në Shqipëri.