Gazment Bardhi: Opozita të bëjë “armëpushim”

Aktualitet Politike

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka zbuluar sot në mbledhjen e grupit parlamentar negociatat për të bashkuar të 59 deputetët e PD-së në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Ai i ka kërkuar kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu që të negociojë me Komisionin e Rithemelimit që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm në mbledhjen ku do të diskutohet për Presidentin, raporton gazetari Osman Stafa.

“Të bëjmë gjithçka mundemi që të bëhemi bashkë për Presidentin, të 59 deputetët e PD. i kam kërkuar dje Fatmir Mediut të kontaktojë me pjesën tjetër të grupit. Ata janë përgjigjur që ky proces të bëhet nga partia, jo nga grupi i deputetëve. Dhe Partia jemi Ne, kanë thënë. Prandaj s’kanë pranuar të vijnë në mbledhje”, mësohet të ketë thënë Bardhi në mbledhjen e sotme.

“Të mblidhemi të gjithë deputetët e opozitës bashkë, minimalisht të gjithë deputetët e dalë nga lista e PD. Ky nuk është moment ndasie midis nesh. Nuk shoh që ka diferenca që propozimi për Presidentin e ri i takon opozitës. Duhet një armëpushim mes vetes në PD dhe të eksplorohet çdo mundësi për bashkim në këtë proces. Unë mendoj që për tu bërë bashkë mund të mendohet që grupi që mandatohet nga Grupi Parlamentar për negociata të përfshijë deputetë nga të gjitha palët. Kandidatët tonë duhet të jenë produkt i të gjithë deputetëve të opozitës, pa asnjë përjashtim. Kjo duhet të tentohet pa ndërprerje dhe në çdo mënyrë. Unë e kuptoj që ftesa për mbledhje i është bërë të gjithe deputetëve të PD, përfshirë kolegët e Komisionit të Rithemelimit, dhe ka qenë zgjedhja e tyre që të mos marrin pjesë. Mirëpo ne nuk duhet të reshtim që të eksplorojmë çdo mundësi që edhe propozimet e tyre për kandidatë të përfshihen. Nga ana tjetër, pa garanci që propozimet tona do merren në konsideratë, unë nuk mendoj që ne duhet të ecim me emra. Ose nëse grupi vendos që duhet të propozojmë, atëherë kjo nuk duhet të vijohet pa fund. Unë nuk kam emër dhe nuk propozoj emër”, ka thene me tej Bardhi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?