Alibeaj mbledh sot Grupin Parlamentar
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ditën e djeshme ka publikuar propozimet e PD-së për zgjedhjen e Presidentit të ri, ku ndër të tjera kërkohej që kreu i ri i shtetit të votohej me 84 vota nga propozimet që të nxirrte opozita, por edhe të mos ishte pjesë e politikës aktive.
Sot ai ka thirrur mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku pritet që me deputetët të diskutohet në lidhje me draftin e publikuar dje dhe të jepen disa emra si alternativa të mundshme. Në këtë mbledhje janë thirrur edhe deputetët e “Rithemelimit”, pas dështimit të mbledhjes së ditës së premte.
Nuk dihet nëse deputetët që mbështesin Berishën do të marrin pjesë në mbledhjen e sotme, pasi në Këshillin Kombëtar u vendos që të ngarkohej Komisioni i Rithemelimit me çështjen e Presidentit të ri, ku nuk përjashtohej edhe bojkoti në rast se mazhoranca nuk përmbushte disa kushte.
Mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së janë shoqëruar gjithmonë me debate të forta mes Alibeajt dhe Berishës, për shkak se ky i fundit është përjashtuar nga Grupi në 9 shtator, pas vendimit të Lulzim Bashës, ndërkohë që është shpallur edhe “non grata” nga SHBA.
PD është e përçarë në 3 grupe, pasi përveç deputetëve që mbështesin Alibeajn dhe atyre që mbështesin Berishën, janë edhe një grup tjetër asnjëanës, të cilët nuk kanë marrë pjesë as në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por as në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit nuk është shumë larg, ndaj mosdakordësia në PD mund të bëjë që Partia Socialiste ta zgjedhë e vetme kreun e shtetit, pasi i ka votat e mjaftueshme. Bashkëpunimi me “Rithemelimin” nuk është një opsion për mazhorancën, pasi vetë kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë negociatë me Sali Berishen.