Kim Jong Un paralajmëron sërish për përdorimin e armëve bërthamore

Bota

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka përsëritur paralajmërimin se Phenjani mund të përdorë armët e tij bërthamore për qëllime “parandaluese” për t’iu kundërvënë forcave armiqësore. Kështu njoftuan sot media shtetërore verikoreane.

Kim u tha zyrtarëve të lartë ushtarakë se “për të ruajtur epërsinë absolute” të forcave të armatosura të Koresë së Veriut, shteti duhet të jetë në gjendje të “parandalojë dhe frenojë të gjitha përpjekjet e rrezikshme dhe lëvizjet kërcënuese… nëse është e nevojshme”, raportoi agjencia e lajmeve KCNA.

Phenjani duhet të vazhdojë të ndërtojë arsenalin e tij në mënyrë që të mund të ketë “fuqi dërmuese ushtare në mënyrë që asnjë forcë në botë të mos mund ta provokojë”, tha Kim, duke thënë se “kjo do të garantojë sigurinë e vendit tonë”. Komente të ngjashme Kim kishte bërë gjatë një parade ushtarake më 25 prill, kur ai tha se mund të përdorë arsenalin bërthamor nëse kërcënohen “interesat thelbësore” të Koresë së Veriut.

Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, Koreja e Veriut ka dyfishuar përpjekjet për modernizimin e ushtrisë dhe gjatë këtij viti ka testuar një sërë armësh të reja, teksa ka injoruar ofertat e Shteteve të Bashkuara për bisedime. Muajin e kaluar, Koreja e Veriut ka testuar një raketë balistike ndërkontinentale. Ky ishte testimi i parë i një rakete të këtij lloji që prej vitit 2017 dhe sipas imazheve satelitore, është rritur aktiviteti në vendet ku kryhen testime bërthamore në Korenë e Veriut.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?