Nëse i gjithë prodhimi do të përpunohej në vend, nuk do të kishim nevojë për import

Aktualitet

Shqipëria është vendi i 14 në botë për lëndë të para për frymë! Kjo renditje, e shprehur me një gjuhë të thjeshtë, mund të formulohet: “E bekuar nga Zoti”. Fakti nuk përbën ndonjë gjë të re për publikun shqiptar. Ashtu siç nuk është përbën gjë të re edhe fakti tjetër, se fitimi nga lëndët e para vjen kur ata përpunohen. Fitohet nga vlera e shtuar. Shqipëria këtë nuk e bën, ose më saktë, sot nuk e bën më! Po pse e vërteta e arit të zi shqiptar është një histori po aq e zezë? Të flasim me shifra.

Shifrat zyrtare të nxjerrjes së naftës nga nëntoka dhe të eksportit të saj ka dy vjet që nuk përditësohen rregullisht. Por një ide e saktë e aktivitetit në këtë fushë mund të nxirret duke marrë në shqyrtim të dhënat zyrtare për dhjetëvjeçarin 2010-2019, periudhë për të cilën shifrat janë publike në faqen zyrtare të AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore). Shiko në: http://www.akbn.gov.al/prodhimi-i-naftes-dhe-gazit-ne-shqiperi-per-vitin-2019/. Sipas këtyre të dhënave rezulton që në 10 vjet janë nxjerrë nga nëntoka shqiptare mbi 10 milion e 500 mijë ton naftë bruto. Nga kjo sasi e nxjerrë më shumë se 7.7 milion ton kanë shkuar në eksport. Të detajuara shifrat janë të përmbledhura në tabelën në vijim.

NAFTË BRUTO E NXJERRË DHE EKSPORTUAR DHE KARBURANTET E IMPORTUARA  

(në ton)

Viti Naftë brutoe nxjerrë Naftë brutoe eksportuar Karburante nga importi
2011 894.530 673.866 457,297
2012 1.029.042 935.947 431,858
2013 1.202.933 1.197.643 459,829
2014 1.368.224 1.057.137 481,776
2015 1.281.178 961.288 463,887
2016 1.055.755 874.251 507,369
2017 955.047 297.430 292,038
2018 910.763 565.729 378,163
2019 1.004.998 631.474 382,566
2020 ? 736.895 387,096
2021 ? 756.988 461,754

Burimi: AKBN, INSTAT, Doganat Shqiptare

Në të dhënat zyrtare të publikuara po nga AKBN ka edhe një shifër tjetër për prodhimin e shtrirë në disa vite me radhë. Po e sjellim edhe atë për të krijuar një pamje sa më të plotë.

Sipas AKBN në periudhën 12 vjecarë nga viti 2007 deri në vitin 2018, ku të dhënat janë të detajuara edhe në bazë mujore, ka rezultuar që nga nëntoka shqiptare janë nxjerrë gjithsej 11.3 milion ton naftë bruto.

Nga kjo sasi 10.3 milion ton naftë bruto e kanë nxjerrë kompanitë private, të cilat 8.1 milion ton naftë i kanë shitur në tregjet e huaja, pra kanë shkuar në eksport dhe 2.2 milion ton naftë janë shitur në rafineritë e vendit. Pjesa që lëviz e cila është pak më shumë se 1 milion ton naftë i përket kompanisë shtetërore Albpetrol.

Për të ditur se kush e shfrytëzon naftën shqiptare, i referohemi përsëri të dhënave të AKBN. Shifrat e vitit 2019, të fundit që janë publike, e krijojnë një pamje të përgjithshme të raporteve të shfrytëzimit vjetor.

Nga sasia e nxjerrë në 2019 (1.004.998 ton naftë bruto) 88.13 për qind ose 885.692 ton naftë i takon kompanisë Bankers PetroleumLtd, e cila shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës, 7.52 për qind (75.415 ton naftë bruto) është naftë e Albpetrol sh.a., 2.43 për qind ose 24.439 ton janë nxjerrë nga kompania Anio Oil në puset Ballsh-Hekal, 1.77 për qind ose 17.778 ton nga shoqëria Terra Oil Swiss në Visokë, 0.11 ose 1.172 ton nga shoqëria Sherwood International në Kuçovë, dhe së fundi 0.04 për qind (502 ton) nga shoqëria Fin-Pek në Finiq dhe Pekisht-Murriz. Në shfrytëzimin e naftës operon edhe shoqëria Delvina Gas Group, por në vitin 2019 ajo nuk ka punuar në asnjë pus. Dukshëm ‘pjesa e luanit’ i takon kompanisë Bankers.

Në të dhënat për këtë shoqëri në https://opencorporates.al/sq/nuis/k43128401l, thuhet se Bankers Petroleum Albania Ltd, është krijuar në 15 prill 2004 dhe vepron sipas ligjeve të ishujve Cayman. Sipas pasqyrave të vitit 2020, kompania zotërohet plotësisht nga kompania kineze Geo-Jade Petroleum Corporation dhe ka për administrator shtetasin kinez Qing Fang. Sipas të të njëjtit burim pronarët përfitues të shoqërisë Bankers Petroleum Albania Ltd. nuk janë të identifikuar.

Çfarë nxjerrim nga shifrat

Për të kuptuar mirë atë që ka ndodhur dhe ndodh në të vërtetë, patjetër që duhet fjala e ekspertëve të fushës. Ju drejtova dy të mirënjohurve prej tyre. Asnjëri nuk deshi të identifikohej me emër. Pyetja për ta ishte e njëjtë: Sa naftë e përpunuar përfitohet nga një ton naftë bruto shqiptare?

Eksperti i parë, drejtues i lartë në sektorin e naftës për shumë vite, tashmë në pension, sqaron:

“Nga 100 ton naftë bruto shqiptare me një përpunim të zakonshëm merret 25-26% gasoil dhe 5% benzinë. Pjesa tjetër e mbetur është mazut, dmth 70 për qind. Por përpunimi nuk mbyllet këtu. Rafineria e Ballshit, ndryshe quhej uzina e përpunimit të thellë të naftës, pikërisht sepse e përpunonte më tej mazutin e mbetur. Çfarë nxirrej prej tij në Ballsh? Gaz i thatë 8 për qind, gaz lëngët 4 për qind (këtë uzina e përdorte për nevojat e saj), 25 për qind gasoil, 12 për qind benzinë, 16-17 për qind solar dhe pjesa e mbetur ishte koks nafte dhe humbje gjatë përpunimit.”

Eksperti i dytë, njohës shumë i mirë i tregut të naftës por edhe një njohës po aq i mirë i statistikave jep këtë përgjigje më të përmbledhur: Nga përpunimi i një toni naftë shqiptare merret mesatarisht 40 për qind gasoil dhe 20 për qind benzinë.

Të dy shifrat janë pothuajse të njëjta. Rreth 60 për qind e një toni naftë bruto pas përpunimit kthehet në karburant.

Për të shmangur çdo debat përllogarisim se nga një ton naftë bruto vetëm gjysma kthehet në karburant. Nga tabela e mësipërme qartësisht del se nëse i gjithë prodhimi shqiptar i naftës bruto do të përpunohej në vend, sasia e përfituar do të ishte në mos më shumë, po aq sa karburantet e importuara.

Thënë thjeshtë, vendi ynë plotëson nevojat e veta të konsumit me naftë. Sepse zyrtarisht, kemi importuar  në 10 vjet 4.7 milion ton karburante dhe nëse do të përpunonim naftën bruto të nxjerrë nga nëntoka jonë do të merrnim minimalisht 5.5 milion ton karburante. Kjo në aspektin teorik. Në realitet jemi shumë larg.

Prapë me shifrat: kontrabandë apo…

Njohësit e tregut të naftës në Shqipëri këmbëngulin se aktualisht në vend konsumohen e pakta 800 mijë ton karburante. Shifrat zyrtare nuk nxjerrin diçka të tillë. Ata vërtiten rreth gjysmës së kësaj sasie.

Se sa është importuar çdo vit është në tabelën e mësipërme. Sasitë në radhë të parë nuk e pasqyrojnë luhatjen e prodhimit vendas në ata vite ku ka patur të tillë. Përjashtim bën vetëm viti 2017. Por ajo që shifrat nuk e pasqyrojnë fare është rritja e numrit të automjeteve në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2011 në vendin tonë ka patur gjithsej 419,893 automjete, nga të cilat 294,729 ishin autovetura. Në vitin 2021 në vendin tonë raportohen zyrtarisht 719,619 automjete, prej tyre 568,769 autovetura. Gati dyfish.

Importet e karburanteve në vitin 2011, kohë kur punonte rafineria kanë qenë 457 mijë ton, në vitin 2021 kur nuk punonte më rafineria, importet janë 461 mijë ton! Ku është diferenca?

Ka edhe një të dhënë tjetër krahasuese. Në Shqipëri qarkullojnë më shumë se 700 mijë mjete dhe importet e karburanteve vërtiten tek 450 mijë tonë. Në Maqedoni qarkullojnë 500 mijë mjete, importet e karburanteve në 2020 kanë qenë mbi 1 milion tonë. Në Kosovë qarkullojnë afërsisht 400 mijë mjete, importet e karburanteve në 2020 kanë qenë 547 mijë ton. Anomalitë e shifrave janë domethënëse.

Mundësia e humbur

“Kanë bërë krim me prishjen e Ballshit, do ti zërë haku i shqiptarëve. Privatizimet në sektorin e naftës janë krime.” Ky është komenti i ekspertit dhe drejtuesit të lartë në sektorin e naftës dhe gazit. Pas ngacmimit se Rafineria e Ballshit dilte me humbje reagon gjithë dhimbje: “Po si mund të dalë me fitim një rafineri nafte që nuk punon?!!. Atyre nuk ju jepnin naftë se fitonin më lehtë duke e shitur lëndën e parë.

Thonë që nafta shqiptare nuk bën, është e rëndë. Kjo është e vërtetë, ndaj edhe shitet në tregjet e huaja me 75 për qind të çmimit të bursës, por po aq e vërtetë është se për gati një shekull vendi me atë naftë i ka furnizuar mjetet e të gjithë llojeve.

Pastaj ka edhe një fakt tjetër që nuk e përmendin: Në vitin 2015 në Ballsh pas përpunimit janë nxjerrë 162 mijë ton gasoil me 10ppm, pra e standartit evropian, sasi kjo e certifikuar nga institucionet shqiptare. Në vitin 2016 po ashtu janë nxjerrë edhe 102 mijë ton gasoil me 10ppm. Pra ja që vlen. Nëse ajo rafineri do të punonte në kapacitet të plotë, nxirrte 600 mijë ton gasoil në vit”.

Nafta shqiptare vlen, dhe vlen shumë. Të pavlefshmëm janë treguar ata që e kanë administruar atë. Ballshi tani është një histori që i përket të shkuarës. Koha ka punuar kundër ekspertëve.

Mundësi për tu “ndrequr”

Ekspertët bëjnë një krahasim: Franca nxjerr naftë bruto aq sa ne dhe ka në punë 6 rafineri. Me sasitë e prodhimit të naftës bruto në Shqipëri, janë të gjithë mundësitë për të patur rafineri.

Kjo jo vetëm që do të zgjidhte problemet e varësisë së tregut nga importet, por në të njëjtën kohë do të dyfishonte fitimet për shtetin shqiptar.

Sipas të dhënave të INSTAT, industria nxjerrëse (naftë dhe minerale) jep rreth 2.5% të PPB, duke qenë më e madhja nga të gjithë industritë e tjera në vend (në vend të dytë është prodhimi i energjisë, me rreth 2% të PBB-së). Të ardhurat gjithsej të industrisë nxjerrëse janë rreth 650 milionë euro në vit. Rreth 500 milion euro prej tyre janë nga nafta bruto.

Sa do të ishin të ardhurat nëse produkti përpunohej në Shqipëri?

Ka edhe një mundësi tjetër. Në vendet e rajonit ka rafineri të cilat kanë kapacitete përpunuese për të gjithë produktin shqiptar. Ka patur tentativa për të bashkëpunuar me to, pasi janë ofruar me kosto gati zero. Nuk ka ndodhur. Nafta shqiptare sot shitet dhe përpunohet në Spanjë. Ka shumë gjëra që mund të bëhen më mirë, por…

‘Sheikët’ shqiptarë

Në vendet e Lindjes së Mesme, atje ku nafta ‘buron’ si ujë, simboli i pasurimit me të janë sheikët. Edhe në Shqipëri nuk është shumë ndryshe. Kush merret me naftën pasurohet. Vendi ynë i ka sheikët e vet, ndonëse shumica e tyre nuk përmenden me emra. Për shumë arsye!

Kur bëhet fjalë për një pasuri kombëtare, siç është nafta, më e vlefshmja ndoshta në Shqipëri, jashtë rrethit të pasurimit nuk ka sesi të jenë as administratorët e lartë të shtetit. Në 3 dekadat e fundit, dihet kush janë ata. Zakonisht ne i përmbledhim në fjalën ‘politikanët tanë’. Marrë nga ABC News

 “Shekulli

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?