Vritet gjatë sulmit rus trajneri i Shakhtar Donetsk

Sport

Klubi i Shakhtar Donetsk ka njoftuar se një prej trajnerëve të akademisë u vra duke mbrojtur Ukrainën nga sulmet ruse.

“Një prej pjesëtarëve të stafit tonë humbi jetën në luftë. Ishte trajner i skuadrave të moshave. Ai u godit nga një plumb rus”, njoftoi administratori i klubit të Shakhtar, Serhei Palkin.

Lajmi dramatik erdhi vetëm pak orë, pas konfirmimit se dy futbollistë ukrainas humbën jetën gjatë agresionit rus. Ata janë Vitalii Sapylo dhe Dmytro Martynenko, përkatësisht 21 dhe 25 vjeç. Pas vrasjes së dy sportistëve edhe Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Futbollistëve Profesionistë shprehu keqardhje për tragjedinë.

Shakhtar Donetsk është një prej klubeve më të suksesshëm në Ukrainë, me 13 tituj kampionë të fituar, 13 kupa dhe 9 Superkupa. Në arenën ndërkombëtare ata kanë fituar edhe Kupën UEFA dhe prej vitesh luajnë në nivele të larta mes Champions dhe Europa League.

Donetsk ndodhet në rajonin e Donbasit, duke e detyruar Shakhtarin që prej nisjes së agresionit të mos i luajë ndeshjet në fushën e tij. Prej situatës së pasigurt, fillimisht skuadra u spostua në Lviv, ndërsa tashmë sportistët ndodhen në kryeqytetin Kiev.

Për shkak të luftës, Premier Liga ukrainase u ndërpre, me Shaktarin që kryesonte me 2 pikë më tepër se kampionët në fuqi të Dinamos së Kievit.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?