AktualitetPolitike

Braçe kërkon shpjegime nga ministrja e Bujqësisë: Pse u trefishua çmimi i plehrave kimike?

Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar ditën e sotme interpelancë me ministren e Bujqësisë Frida Krifca duke denoncuar humbjet e fermerëve për shkak të rritjeve të plehrave kimike dhe produkteve të tjera bujqësore.

Braçe tha se kompania Agroblend, zotëron mbi 90% të tregut duke shpërndarë edhe në kompani të tjera. Ai tha se rritja e çmimeve ka ndodhur edhe në Greqi, me rreth 20 euro, ndryshe nga Shqipëria ku çmimi është trefishuar.

“Ekonomia është rritur, por jo bujqësia. 45% e popullsisë së vendit që ndodhet në fshat duket si e përjashtuar nga rritja ekonomike, kjo është pabarazi. Rritja ekonomike me pabarazinë si kosto është iluzion. Ka arsye pse ndodh kjo. Në bujqësi kanë rëndësi dy elementë, kostot e prodhimit dhe çmimet e produkteve bujqësore.

Nëse kostoja rritet dhe në të ndikojnë nafta, plehra dhe çmimin te prodhimit bujqësor mbeten në vend, bujku falimenton, nëse ndodh dhe për një cikël të dytë prodhimi s’ka më para për të mbjellë. Ka tre probleme të mëdha këtu, e para është bllokimi i tregut nga karteli i grumbulluesve, skema e TVSH-së që ne bëmë në dhjetor dhe nuk lejon që në derë të secilit këtyre bujqve të paraqitet një grumbullues që merr përsipër një humbje 20 % mbi kurrizin e vet dhe e treta humbja e krahut të ri të punës që po e bën më të shtrenjtë punën në bujqësi”, u shpreh Braçe.

Ministrja Krifca tha se qeveria po e ndjek me vëmendje situatën e rritjes së çmimeve, por shtoi se kjo ka ndodhur për shkak të tregut global.

“Rritja e çmimeve dhe inflacioni është një sfidë për të gjithë. Të ndërgjegjshëm, të shqetësuar si ju si dhe për peshën që sektori mbart qeveria shqiptare qëndron në krah të fermerëve. Buxheti i akorduar për ta është më i larti që nga viti 1991, me 3.2 mld lekë në mbështetje të drejtpërdrejtë. Po e ndjekim situatën e çmimeve me shumë vëmendje. Jemi të vëmendshëm që kjo situatë të mos shfrytëzohet në mënyrë spekulative nga ofrues të imputeve bujqësore. Rritja e çmimeve të plehrave kimike reflekton ndikimin e rritjes globale të çmimeve të inputeve”, u shpreh ministrja Krifca.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?