Aktualitet

Deputetët e “Rithemelimit” i bashkohen protestës jashtë Parlamentit

Disa deputetë të opozitës i janë bashkuar protestës së dhjetra banorëve në ambientet e jashtme të Parlamentit, që kërkojnë një zgjidhje të drejtë për pronat e parashikuara për t’u shkatërruar nga disa projekte të qeverisë.

Mes tyre ishte edhe deputeti Flamur Noka, i cili tha se si bonusi dhe vlera e shpronësimit janë qesharake dhe tallje me banorët.

Sipas Nokës, projekti ishte parashikuar buzë lumit Lana, duke mos prekur banesat, por është devijuar për shkak të ndonjë afere korruptive.

Në protestë janë banorë të Paskuqanit, Laprakës dhe “5 Majit” që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës.

Pjesë nga deklarata e Nokës:

Këta banorë nuk kërkojnë asgjë tjetër, të zhvillohen projektet për t’i dhënë një fytyrë normale Tiranës, por asnjëri prej tyre nuk është i paligjshëm në tokën e tij. Ju kemi dhënë bonus u thonë, po ka gjë më qesharake? Me bonus nuk marrin dot as një dhomë me qira. Do t’ju çojmë për kompensim dhe rivlerësim u thonë. A ka gjë më poshtërruese? As një dhomë nuk blejnë dot me atë shumë.

Këtu duhet të ishte Elisa, të jepte llogari pse u devijua projekti, se në Paskuqan projekti ka qenë që të kalonte buzë Lanës. U spostua për një aferë korruptive, siç ishte ajo e 5 majit, mbase ndonjë pallat do të ndërtohet edhe në Paskuqan. Ky regjim këtë fytyrë ka, ne jemi këtu në mbështetje tuajën dhe nuk do t’ju braktisim në kauzën tuaj të drejtë. Këta qeveritarë flenë në kushte lluksi, shkojnë të gjithë në vila, por nuk duan t’ja dinë se këta banorë flenë në plasmas.

Ky regjim meriton vetëm një gjë, përballje, përballje. Deri sa ta rrëzojmë dhe të vijë një qeveri që mendon për njerëzit.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania