Kulture

Të zhdukurit në diktaturë/ Blloshmi përplaset me Stojanin: Flet pallavra si prokuror i komunizmit

Një konferencë triditore për zhdukjet me forcë dhe të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës totalitare organizuar nga OSBE në Tiranë, ka përplasur ish të përndjekurin politik Bedri Blloshmi me prokurorin Sokol Stojani, drejtor i koordinimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërsa prokurorë të huaj, gjyqtarë, diplomatë dhe organizata për të drejtat e njeriut, folën për detyrimet e shtetit shqiptar për kërkimin e të zhdukurve në diktaturë dhe mundësitë ligjore për kërkimin, Stojani, shpalosi pengesat.

Prokurori Sokol Stojani tha se: “Procesi penal në vetvete nuk është garanaci për gjetjen e personave. Janë aplikuar në thelb dy praktika pune, ajo e ndjekjes së procedurave administrative dhe ajo nëpërmjet procedimit penal. Anashkalohet Ministria e Brendshme si autoritet përgjegjës. Këto dy qëndrime kanë tërhequr zvarrë procesin e gjetjes dhe rikuperimit të trupave. Marrëveshja me ICMP(Komisioni Ndërkombëtar për të Zhdukurit) ka përcaktuar si lider Ministrinë e Brendshme dhe vendosja e prokurorisë nën drejtimin e kësaj të fundit në funksion të një procesi penal, do të krijonte një problem te natyrës kushtetuese, pasi kushtetuta e njeh prokurorinë si organ të përcaktuar prej saj të pavarur e më të lartë”.

Fjala e tij u ndërpre nga ish i dënuari politik, Bedri Blloshmi i cili i ju drejtua Stojanit:
“Kërko falje 6 mijë të pushkatuarve. Mos fol për Remzi Hoxhën fol për 6 mijë të pushkatuarit që i ka zhdukur shteti i Enver Hoxhës sepse ke deklaruar para dy muajsh se nuk i merr në hetim sepse i ka dënuar shteti i Enver Hoxhës. Është fyerje për popullin shqiptar të dëgjoj pallavrat tuaja këtu si prokuror i komunizmit. Ti s’dënon shtetin e Enver Hoxhës, ky është karakteri ligjor, ti e quan vendimin e shtetit Enver Hoxhës, që ka vrarë qytetarë të pafajshëm e quan të drejtë dhe nuk ke të drejtë të nisësh hetime.

Në anën tjetër ambasadorja e Shqipërisë në BE, Belgjikë dhe Luksemburg, ndërsa foli si anëtare e Komitetit të zhdukjeve me forcë dha shifra dhe mesazhe të qarta. “Sipas grupit të Punës të OKB-së që re ka vizituar Shqipërinë ne vitin 2015 ka përllogaritur se procesi (kërkimi, zhvarrimi e identifikimi) kërkon deri në 15 milionë euro”.

 

 

Konferenca është mbledhur nga OSBE për të gjetur rrugën institucionale dhe koordinimin mes aktorëve vendas e të huaj për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve, rikthimin e dinjitetit të viktimave dhe respektimin e të drejtave të njeriut, sepse zhdukja e tyre, është krim që vazhdon. Shteti shqiptar në 3 dekada nuk ka arritur as të vërë para drejtësisë persekutorët as të bëjë drejtësi për viktimat duke zvarritur të drejtën e viktimave politike për varr.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?