Meta: Shkarkimi? Jam president deri në 24 korrik 2022.

Intervista

Presidenti Ilir Meta deklaroi se është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me 30 qershorin. Në një intervistë për ‘Ora e Betit’ në RTV Ora, kreu i shtetit u pyet se çfarë do të bëjë në rast të një shkarkimi nga Kushtetuesja. Meta tha se nuk merret fare me këtë çështje.

Lidhur me mundësinë për shpalljen e zgjedhjeve pas vendimit të Kushtetueses, presidenti Meta tha se do ta shohë me vëmendje vendimin.

INTERVISTA
 Gazetarja: Zoti President mirëmbrëma dhe mirëserdhët tek “Ora e Betit” dhe faleminderit për këtë intervistë e para që jepni pas zgjedhjeve të 25 prillit!

Presidenti Meta: Mirë se erdhët dhe faleminderit që më bëtë mua pjesë të “Orës së Betit”!

 

 

Pyetje: Ka qenë një heshtje e gjatë kjo që ju karakterizoi gjatë këtyre muajve. Nuk ishte Presidenti i qëndrimeve apo i deklaratave të forta, Presidenti që përplasej me mazhorancën që e votoi, i asaj atmosfere konfliktuale, çfarë ka ndodhur me Presidentin e Republikës, të themi ishte një dorëzim përpara pushtetit të Edi Ramës, ishte një distancim ndoshta për të mos pasur atë rolin e protagonistit që ju ka karakterizuar gjatë kësaj kohe, apo le ta quajmë një ndjenje paralizimi, ose për të mos zhvilluar me një aksion aq të fuqishëm politik?

Presidenti Meta: Presidenti ka qënë dhe mbetet gjithmonë në krye të detyrës. Sjellja e tij, qëndrimet e tij kanë qenë janë dhe do të jenë deri më 24 korrik 2022 të diktuara nga rrethanat në të cilat ai ushtron aktivitetin e tij gjithmonë në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Besoj se e kam sqaruar edhe më parë, pra pas 25 prillit që pavarësisht nga rezultati i 25 prillit, pavarësisht nga të gjitha problemet sidoqoftë vendi ka një parlament pluralist dhe tani është detyra e këtij Parlamenti që të ketë protagonizmin e duhur në funksion të rivendosjes së demokracisë në shinat kushtetuese nga të cilat Parlamenti dhe shumë institucione dolën në shkurtin e vitit 2019 dhe për të cilin jemi dëshmitarë. Në këtë drejtim Presidenti është këtu për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tij. A ka qenë një situatë e pazakontë? Sigurisht që e tillë ka qenë! Po sigurisht Presidenti nuk ka qenë përgjegjës siç po tregojnë edhe zhvillimet e fundit.

Sa iniciativa ka ndërrmarrë Presidenti për të garantuar zbatimin e Reformës në Drejtësi, sipas Kushtetutës, sipas 140 votave të miratuara në Parlament në kohën kur  Presidenti aktual ishte Kryetar i Parlamentit. Këtë gjë e dimë si janë refuzuar dhe lojrat që janë bërë.

Së dyti djegia e mandateve. Ju e dini shumë mirë që Presidenti sapo e mori vesh këtë lajm, se Presidenti ishte në Gjermani, nuk ka qenë dhe kur kjo u bë fakt i kryer, ka bërë menjëherë një deklaratë. Palët bëjnë hapa mbrapa, opozita një hap mbrapa, qeveria dy hapa mbrapa dhe të rivendosin dialogun. U dogjën, u ekzekutuan menjëherë në mënyrën më antikushtetuese dhe e kemi parë se çfarë pasojash të rënda ndodhën.

Po përpjekjet e Presidentit që vendi të kishte zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse siç i takon një vendi të qytetëruar dhe demokratik dhe ftesat e Presidentit për të realizuar këtë gjë i harruat?

Ju e dini se si u minuan të gjitha përpjekjet e Presidentit. Nuk dua të shtyhem në shumë aspekte të tjera, por Presidenti kishte një detyrë, të paktën deri më 25 prill, se ai e ka detyrën deri në sekondën e fundit të 24 korrikut në këtë institucion, që të mbrojë Kushtetutën në të gjitha rrethanat, edhe kur ai është i vetëm dhe lihet i vetëm qëllimisht përpara një parlamenti më 120 e ca kartona, si të thuash, me deputetë, me ato akte që ata kanë votuar vetëm ndërgjegjja e tyre mund ta pranojë. Në kushtet e presionit dhe provokimit të gjithanshëm, por edhe të lojrave të bëra nga shumë aktorë, të cilat janë të qarta për të krijuar idenë sikur ishte problemi Presidenti, kur dihej shumë mirë se nga djegia e mandateve, cili ishte institucioni që rrezikohej më shumë? Presidenti!

Sepse Kushtetuta i jep Presidentit mbrojtje të jashtëzakonshme për të mbrojtur shtetin, jo për të mbrojtur individin që është në zyrë dhe për ta mbrojtur nga pushteti, i jep një mbrojtje të jashtëzakonshme. 94 deputetë dhe pastaj duhet të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe e përcakton shumë qartë: “për shkelje të rëndë kushtetuese”, etj., etj. Pse? Për të mbrojtur shtetin nga pushteti.

Sigurisht Presidenti nuk mund të dorëzohej, se e kam thënë edhe më parë se unë nuk mendoj se jam i pagabueshëm. Përkundrazi, se gabimet janë njerëzore, por absolutisht që interesin kombëtar dhe mbrojtjen e Kushtetutës i kam pasur i kam gjithmonë parësore.

Unë për dijeninë tuaj nuk është se kam pasur ndonjë problem me qeverinë, përkundrazi, të gjitha rastet tregojnë se qeveria ka pasur problem me Presidentin, siç ka pasur me çdo institucion tjetër kur ka bërë detyrën. Unë edhe kur kam qenë kryeministër, kam pasur një raport të shkëlqyer me Presidentin e asaj kohe që ka qenë Profesor Rexhep Meidani, ndryshe nga kryeministrat e tjerë, sepse unë kam ndjenjën e detyrës. Kjo është detyra ime, do ta bëj. Nëqoftëse ti kërkon të më kërcënosh, kërkon të më shantazhosh që unë të prek Kushtetutën e Shqipërisë, atëherë më vjen keq! Unë jam betuar jo vetëm me dorë mbi Kushtetutë, por me gjithçka timen për ta bërë këtë detyrë me përgjegjësi të plotë e maksimale.

Pyetje: Gjithsesi, Zoti President, mandati juaj ka qenë një mandat atipik.

Presidenti Meta: A ka qenë Shqipëria tipike në katër vitet që lamë pas? Më thoni? Kur Kushtetuta e thotë qartë dhe e bëmë me 140 vota, që Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me të paktën 84 dhe Presidenti një javë para i lajmëron publikisht. Këtu ka qenë në konferencë shtypi me Presidentin e Malit të Zi, në atë kohë, në këtë sallë. Lajmëron dhe thotë që: Shikoni se javës tjetër mbaron mandati i Prokurorit të Përgjithshëm! Merrni masa ta zgjidhni në përputhje me Kushtetutën, bëni propozime, jepni alternativa që kjo çështje të zgjidhet! Dhe pastaj shkon siç shkoi! Çfarë të bëjë Presidenti?!

Kur Presidenti thotë: Lerini këto marrëzi, si do t’i digjni ju mandatet? Mandatet e kujt do të digjni ju? Nuk janë mandatet tuaja, janë të njerëzve që do t’i mbroni se opozita është aty për të mbrojtur popullin nga qeveria, për të kontrolluar qeverinë, jo për ta lënë popullin të pambrojtur!

Kur Presidenti thotë: Si do të ikni ju nga pushteti lokal? Si do t’i lini këta njerëz pa i mbrojtur? Dhe sot opozita nuk ka asnjë këshilltar në të gjithë Shqipërinë që ta mbrojë, që të ngrejë një problem për një vendim, që të kërkojë llogari për një çështje. Çfarë prisni ju që të thotë Presidenti?!

Presidenti është këtu për të shprehur shqetësimet e qytetarëve, shqetësimet e popullit dhe e dimë se çfarë i ka ndodhur Kushtetutës sonë gjatë kësaj kohe. Bëhen ligje kundër Kushtetutës apo jo!

Pyetje: Dhe disa nga shqetësimet që ju keni ngritur, po i referohem protestës së 2 marsit, kanë qenë kundër pushtimit të Gjykatës Kushtetuese, të rivendosjes së rendit kushtetues. Keni folur për krizë legjitimiteti institucionesh. Ku jemi pas afro dy vitesh kur jemi në mandatin e tretë të Edi Ramës?

Presidenti Meta: Po ku jemi? Shikoni se ku është Shqipëria në të gjitha renditjet ndërkombëtare, në të gjithë treguesit! Shikoni ku është për investimet e huaja në rajon! Shikoni ku është për migrimin apo për largimin e qytetarëve! Në rastin tonë nuk mund të përdoret termi migrim, por termi më i përshtatshëm është shpopullim.

E kam thënë njëqind herë: Ikën një serb për një mijë banorë, ikin 12 shqiptarë nga Shqipëria. Ikën 1 nga Kosova, ikin 4 nga Shqipëria, 1 nga Bosnja, 18 nga Shqipëria,  1 nga Mali i Zi, 17 nga Shqipëria. Ku jemi? Ja këtu jemi!

Pyetje: Zoti President, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë në lidhje me paligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-s. A do t’i shpallë Presidenti zgjedhjet? Nuk është bërë ende zbardhja e vendimit, por gjithsesi Presidenti i Republikës a do t’i shpallë zgjedhjet në ato bashki ku mungojnë kryetarët?

Presidenti Meta: Presidenti i Republikës është këtu për t’i shërbyer respektimit të Kushtetutës.

Për çështjen që ju folët, Presidenti i Republikës nuk ka asnjë vendim të zbardhur zyrtar, me vulë, pa vulë, me firmë nga Gjykata Kushtetuese apo ndonjë institucion tjetër për këtë çështje!

Deri tani Presidenti i Republikës ka vetëm raportin e OSBE/ODIHR-it për këtë çështje. Institucioni më i rëndësishëm ndërkombëtar për vlerësimin e zgjedhjeve, por edhe për një çështje të tillë si kjo, madhore, siç është ajo e këtyre zgjedhjeve. Kaq ka Presidenti!

Se nuk mund të nisem nga lajme gazetash,lart e poshtë. Do ta shikojë me shumë vëmendje, pa dyshim! Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm në një shtet të së drejtës, që është realisht shtet i së drejtës. Për këtë arsye Presidenti i Republikës ka bërë një luftë të jashtëzakonshme prej më shumë se katër vitesh. Jo vetëm si President, por edhe në vitin e fundit që isha Kryetar i Parlamentit, se shorti i parë u hodh në atë kohë, dhe që nisën debatet dhe bllokimet e qëllimshme të KED-së për ta lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese për vite të tëra dhe për ta bërë atë proces ashtu siç u bë.

Ne do t’i presim me shumë vëmendje vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do t’i studiojmë dhe do të bëjmë veprimet më të mira në interes të respektimit të Kushtetutës edhe të të drejtave të njeriut, sepse sigurisht që ka Gjykatë Kushtetuese, por padyshim që nuk ka vetëm Gjykatë Kushtetuese. Ka edhe Gjykatë Evropiane që mbron të drejtat e njeriut dhe Shqipëria tani është pjesë e një sistemi të tillë.

Pyetje: Po kjo Gjykatë Kushtetuese pritet gjithashtu të vendosë edhe për kushtetutshmërinë e vendimit të Parlamentit të kaluar për shkarkimin tuaj. Çfarë do të bëjë Presidenti Ilir Meta në rast të një vendimi për shkarkim?

Presidenti Meta: Presidenti nuk merret fare me këtë çështje. Me këtë çështje merret vetëm Këshilltari Juridik i Presidentit të Republikës, zoti Bledar Dervishaj.

Kjo është një çështje që nuk ekziston fare në axhendën e Presidentit të Republikës Ilir Meta!

Pyetje: Edhe në rast se Gjykata Kushtetuese vendos për shkarkimin tuaj?

Presidenti Meta: Sot mund t’ju them se edhe një nga qëllimet e atyre, që nxitën djegien e mandateve, që nxitën lojërat për zgjedhjet vendore dhe gjithë ato kriza që u krijuan në Shqipëri, tani po kuptohet qartë si u krijuan, kush i krijoi, dhe që janë më të hershme se sa mendoni ju dhe ne: Ata kishin plan edhe shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, por nuk ishte ky problemi. Kishin në plan që edhe Gjykata Kushtetuese të kapej që para tri vitesh me shpejtësi. I mbani mend ato që betoheshin te noterja tek Lana apo i harruat?

I harruat ju këto gjëra dhe thoni: Ku jemi pas kaq kohësh në Shqipëri. I harruat! Harrojini! Se ju serviren lajme të tjera: Çfarë ka veshur Presidenti sot! Apo Presidenti e rriti tonin aty! Shikoni ata fermerët atje që po falimentojnë! Ai është problemi i  Shqipërisë, sepse në qoftë se bie mbjellja 30%, bie prodhimi aq, në invers shtohet numri i njerëzve që ikin. Se po nuk u mbështet bujqësia, po nuk u mbështet turizmi, do të ikin njerëzit se njerëzit e Shqipërisë me këto jetojnë, nuk jetojnë me reklama!

Pyetje: Zoti President, dua t’i rikthehem edhe një deklarate që keni bërë më datë 1 mars të këtij viti, ku deklaruat përpara zgjedhjeve: Nëse Edi Rama do të marrë 71 mandate pa prekur votën e popullit, unë më 26 prill do të dorëzoj Zyrën e Presidentit dhe do të marr udhëheqjen e opozitës, pasi kjo do të thotë se në Shqipëri nuk ka lidership opozitar.

Përse nuk e mbajti Presidenti zotimin?

Presidenti Meta: Në qoftë se do t’i merrte zgjedhjet në mënyrë të ndershme. Pas masakrës elektorale siç tha Kryetari i Partisë Demokratike dhe shqetësime të tjera të ngritura nga raporti i OSBE/ODIHR-it dhe skandalit të patronazhistëve dhe shumë skandaleve të tjera, kuptohet që Presidenti nuk ka pasur asnjë arsye që të japë dorëheqjen. Dhe sigurisht që Presidenti do ta përmbushë misionin e tij deri në fund.  Deri më 24 korrik 2022 Presidenti do të respektojë detyrën, do të respektojë institucionet, do të respektojë Kushtetutën!

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?