Kompania austriake dëmton kalldrëmet e Gjirokastrës që mbrohen nga UNESCO

Ekonomi

Bashkia Gjirokastër ka paralajmëruar pezullimin e punimeve të ujësjellësit të ri në lagjet e sipërme të qytetit. Gazetari Piro Nase raporton për Report TV se situata në lagjet e sipërme të qytetit vijon të jetë një katrahurë e vërtetë, pasi të gjitha kalldrëmet në pjesën muzeale të mbrojtur nga UNESCO, janë shkatërruar si pasojë e këtyre punimeve.

Afati për dorëzimin e punimeve të rrjetit të ri të ujësjellësit, ishte data 17 gusht, por kjo vepër jo vetëm që nuk është dorëzuar, por edhe ka shkatërruar kalldrëmet. Vetë banorët thonë se firma zbatuese nuk ka punuar si duhet ndërsa rikthimi në identitet i këtyre kalldrëmeve ngelet një tjetër problem.

“2 muaj ka te shtëpia ime. Kam vjehrrën të sëmurë në shtëpi, nuk do del dot jashtë dhe të marrë ilaçe se kemi 2 muaj kanalin. Dhe në lagjen lart, atje rregullohet atje prishet, kanë lënë dhe ato gurët anash. As në kohë të monizmit s’ka ndodhur, ishin dritë këto kalldrëme. Dhe lart që ka shtruar kanë vënë çimento, gurët i kanë lënë jashtë. Se kur do hiqen,”- thotë një prej tyre.

Nga ana tjetër kryebashkiaku Flamur Golemi ka bërë me dije se është gjobitur kompania austriake “Strabaag”.

“Kemi marrë masa ndëshkimore, kemi vënë gjobë. Në fakt sot dhe rastis por ne kemi shkuar dhe po marrim masa deri në pezullim të punimeve, pjesa e afateve mund të mirëkuptohet edhe për shkak të pandemisë, por ka edhe problematika të tjera që nuk do i tolerojmë. Policia Bashkia, Inspektoriati i Ndërtimit, ne jemi në suport, nëse ka person më të interesuar që ky projekt të përfundoj jemi ne, por nuk do të tolerojmë asnjë përgjegjshmëri,”- tha Golemi.

Punimet për ujësjellësin kane nisur më 27 nëntor të 2019 dhe duhet të përfundonin me 17 gusht të 2021, ndërsa vlera e projektit i kalon 7.5 milionë euro. Vetë firma zbatuese ka pretenduar se vonesa ka ardhur si pasojë e pandemisë, por tani kemi hyrë në sezonin e vjeshtës dhe shirat mund të shkatërrojnë punimet.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?