Aktori i humorit, Florjan Binaj: Do dal të protestoj
Aktori i humorit, Florjan Binaj do të jetë prezent në protestën që do të zhvillohet ditën e nesërme përballë kryeministrisë për rritjen e çmimeve. Nëpërmjet ‘instastory’, Binaj fton të gjithë shqiptarët që të bëhen pjesë e protestës, duke thënë shprehjen se ‘kupa është mbushur dhe po derdhet’. Për personat që nuk bëhen pjesë e protestës, aktori thotë se ata nuk janë më pjesë e shoqërisë por skllevër të sistemit.
‘Unë do dal të protestoj të mërkurën në orën 17:00 përballë kryeministrisë për të gjitha padrejtësitë që bëhen në Shqipëri prej më shumë se 30 vitesh, nga të gjitha qeveritë me rritjen e çmimit të bukës, naftës, gazit, dritave, jetesës pa i mbrojtur asnjë institucion. Kupa ka kohë që është mbushur dhe po derdhet madje, Por shoqëritë që nuk çohen të protestojnë për padrejtësitë që u bëhen, nuk janë më një shoqëri por skllevër të sistemit. Eja dhe ti!‘- shkruan aktori në rrjetin social ‘Instagram’.
Protestë kundër rritjes së çmimeve është paralajmëruar të zhvillohet ditën e nesërme, përballë kryeministrisë në orën 17:00. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qytetarët duhet të përgatiten krizën energjitike; rritjen e çmimit të gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80% dhe të naftës. Rama tha se kjo krizë do prekë jetën e familjeve dhe bizneseve, por qeveria do u qëndrojë pranë shtresave në nevojë, biznesit të vogël dhe konsumatorëve familjarë.