Lubonja: “Fatale, nëse nuk futemi në BE”

Aktualitet

Analisti Fatos Lubonja komentoi në një lidhje me “Skype”, në “News24”, zhvillimet e fundit politike, me në fokus procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, referuar edhe vizitës së Presidentes së KE, Ursula von der Leyen, në vendin tonë.

Analisti Lubonja tha se në Shqipëri duhet të ketë një debat serioz mes politikanëve, por edhe intelektualëve, lidhur me këtë çështje, pra me të ardhmen e vendit.

“Në Shqipëri duhet të kishte një debat serioz, mes politikanëve, por edhe intelektualëve, se ku po shkojmë. Prej kohësh Evropa ka debate për të ardhmen e saj, ashtu si dhe SHBA, ndërsa ne vazhdojmë me një traditë të vjetër. Askush nuk mendon se mund të ketë zhvillime të tilla që mund të na befasojnë. Ka shenja jo të pakta, prej 10 vitesh, që vunë në dukje një krizë të Evropës, ku ne nuk mund ta shohim veten jashtë. Ajo që ndodh te ne, është fakti që ne nuk e çajmë kokën fare, këtu e kam fjalën për klasën tonë politike.

Shoh një kontradiktë në atë që thotë Ursula në një krah dhe asaj që thotë Reuters nga ana tjetër. Unë e shoh Shqipërinë dhe shqiptarët të papërgatitur. Po të shohim historinë tonë, historia jonë kështu ka shkuar. Është bërë një luftë ballkanike dhe u vendos që të krijohet Shqipëria. Pastaj u bënë luftërat botërore, ku njëherë ishte për copëtimin e Shqipërisë, pastaj për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Pra, gjithmonë fatet e Shqipërisë u vendosën nga të tjerët, dhe ne asnjëherë s’jemi bërë të zotët për vendin tonë. Ne kemi gjithmonë varësi totale ndaj ‘vëllait të madh’”, tha Lubonja.

 

 

I pyetur se “Një ‘Jo’ për BE a do të ishte dhuratë për forcat anti-evropiane”, Lubonja u shpreh se “Unë mendoj që kjo mund të quhet lodhje, por nëse bëhet fjalë për lodhje, lodhja është kriza që ka krijuar sistemi, pra mungesa e vullnetit politik, e interesave. Janë shumë faktorë që kanë ndikuar që Evropa të mos krijojë një kofezion, siç pritej. Shkaku kryesor është dështimi që ka pësuar Evropa, edhe për shkak të faktit se Evropa më shumë është komanduar nga monopolet e mëdhaja, duke bërë që t’i lënë njerëzit pa një siguri. Këtu kemi të bëjmë me atë që njeriu bën projekte, Evropa është një projekt i duhur, ka humbur në opinionin publik. Këto janë reaksione që vijnë nga dështimi apo nga paaftësia për ta mbajtur këtë projekt. Janë shumë faktorë që i kanë çuar njerëzit te nevoja për t’u mbledhur te vetvetja, te vendi i tyre, te feja, te nacionalizmat”.

Për analistin Lubonja, do të ishte fatale për Shqipërinë, nëse nuk do të integroheshim në Bashkimin Evropian, pasi sipas tij, pushteti do të shkonte gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit dhe do të drejtohej nga krimi i organizuar.

“Duhet të shtrojmë pyetjen se pse nuk na do Evropa, pse nuk na merr? Në këtë aspekt, ne kemi shumë probleme, që nuk na duan. Nëse do të donim vërtet, do të kishim bërë shumë punë përpara, dhe këto janë gabime që mban e gjithë klasa jonë politike. Mund të kishim qenë pjesë dhe mund të kishim pasur arritje më të mira.

Mendoj se do na sjellë shumë probleme, sepse Evropa gjithsesi ka qenë një orientim, një utopi, dhe utopia siç thuhet na shërben për të ecur në një drejtim. Duke ecur në atë drejtim, në një far kuptimi ecja drejt Evropës, ka qenë një pol magnetik që na tërhiqte drejt shtetit të së drejtës. Një humbje e këtij magneti, do të ishte fatale për një vend si Shqipëria. Në këto 30 vjet ne kemi shkuar drejt një kapitalizmi të egër, që ka kapur shtetin, ku krimi i organizuar gjithnjë e më shumë kap shtetin dhe që ka zgjedhur liderin e tij autoritar. Një mungesë e këtij magneti, e kësaj fushe gravitacionale, do i jepte shumë më tepër hapësira aventurizmit të kësaj klase narkotrafikantësh, që sundon në Shqipëri, dhe që bëhet gjithnjë e më e fuqishme. Mendoj se kjo do të rriste shumë më tepër emigracionin e shqiptarëve, për t’i ikur këtij sistem, sepse do të humbte totalisht shpresën. Do të hynim në një aventurë që nuk e di si do të përfundonim”, përfundoi Lubonja.

(BalkanWeb)

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?