Artan Hoxha tregon si ia rrëzuan dronin rojet e parcelave të kanabisit
Kanabisi u mboll gjerësisht gjatë kësaj vere në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku sëfundmi kultivuesit kanë sjellë një fare të re, e cila rritet për 6 ditë.
I ftuar në ABC Live përballë Juli Xhokaxhi, Artan Hoxha tregoi edhe se si ia kishin rrëzuar dronin rojet e një parcele kanabisi në malet e Krujës.
Hoxha tha se kishte shkuar për të kontrolluar për një arë kanabisi, por papritur rojet e kultivuesve ia kishin rrëzuar atë duke mos mundur që të sigurojë filmimet. Gazetari u shpreh se më pas policia bëri aksion në atë zonë duke korrur rrënjët e kanabisit që gjendeshin aty.
Në lidhje me farën e re të kanabisit të njohur si “Gorrila”, Hoxha tha se kjo duhet të detyrojë autoritetet që të ndryshojnë strategjinë e monitorimit të zonave problematike.
“Kjo bimë ka krijuar një problematikë tjetër. Sepse avioni mund ta ketë skanuar këtë zonë dhe ajo del e pastër, pastaj kultivuesit mbjellin këtë bimën, e cila rritet për dy muaj.
Unë di që ajo zona ku është mbjellë parcela në fjalë është skanuar në korrik dhe ka dalë e pastër, por këta kanë mbjellë menjëherë pas skanimit me avion kanabisin duke e marrë prodhimin shumë shpejt.
Kjo bën që autoritetet të ndryshojnë medoemos mënyrën e kontrollit pasi një prodhim kaq i shpejtë e nxjerr jashtë loje strategjinë e tanishme të skanimit në qershor për shembull”, tha Artan Hoxha në ABC. /abcnews.al