Rama flet për mediat italiane: 30 vjet më parë ne ishim afganët

Aktualitet

Në pritje të ardhjes së grupit të afganëve në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër intervistë për mediat italiane duke u shprehur se sigurimi i një strehe të sigurt për ata që ikin nga vdekja e talebanëve është për ne një detyrë që tejkalon të gjitha të tjerat duke kujtuar eksodin e shqiptarëve.

“Tridhjetë vjet më parë ne ishim afganët që kërkuam mikpritje nga ana tjetër e detit. Ne, që në atë kohë dukej se ishim të huaj për popullin italian dhe opinionin publik evropian, siç duket sot afganët. Nga ana tjetër, ne kemi një traditë për të nderuar.

Shqipëria është i vetmi vend evropian që priti hebrenjtë para dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Është një kod nderi që na obligon të jemi mikpritës. Një kod, sipas së cilit shtëpia e secilit shqiptar i përket Zotit dhe mysafirit.

Unë besoj se ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe për fëmijët tanë. Ata gjithashtu duhet ta kultivojnë, si një pasuri të çmuar, këtë ndjenjë përgjegjësie ndaj të tjerëve në vështirësi, duke qenë fëmijë të një populli, i cili, në momente të ndryshme të historisë së tij, është mbështetur në mikpritjen e të tjerëve” shprehet Rama.

“Ne nuk kemi vuajtur pasojat që tani thuhet se një vend mund të vuajë nëse mirëpret dhjetëra apo edhe qindra mijëra refugjatë. Në të vërtetë, ne jemi bërë, sipas mendimit tim, më të pasur moralisht dhe më të fortë mendërisht.

Dhe, atëherë, numrat tregojnë se veçanërisht vendet më të zhvilluara kanë nevojë për një fuqi punëtore që mund të sigurohet vetëm nga ata që vijnë nga jashtë kufijve të tyre, sepse brezat e rinj nuk janë të prirur të pranojnë asnjë lloj pune” vazhdoi më tej ai.

Gjatë intervistës kreu i ekzekutivit që do të qeverisë Shqipërinë në mandatin e tretë radhazi nuk i kurseu edhe njëherë sulmet kundër BE-së, jo vetëm për afganët, por për çështjen e integrimit.

“Unioni është një shtëpi që për momentin i përket të tjerëve dhe ata kanë të drejtë të vendosin nëse jemi gati apo jo. Fatkeqësisht, prej vitesh ne po paguajmë pasojat e një Evrope që nuk mund të përballojë presionin e sondazheve. Një presion, i cili kthehet në një mënyrë të qenit të politikës jo gjithmonë në përputhje me parimet, vlerat dhe idealet e saj” tha ai.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?