Katastrofa mjedisore në Shijak! Mbeturinat mbushin koshat dhe rrugët

Aktualitet

Vijon katastrofa mjedisore në Shijak, ku prej 18 gushtit banorët e kësaj zone po jetojnë jo vetëm mes temperaturave ekstreme, por edhe mes mbeturinave.

Në një raportim për “News24” dhe “BalkanWeb” nga Shijaku, gazetarja Dorjana Bezat tregoi live situatën alarmante, ku jo vetëm koshat janë mbushur me mbeturina, por një gjë e tillë tashmë po ndodh edhe në trotuaret dhe rrugët e vendit.

“Situata është alarmante. Mbetje që depozitohen në kontejner për më shumë se 6 ditë, që prej 18 gushtit, nuk janë pastruar. Mbeturinat kanë mbushur koshat, e më pas trotuaret e rrugët. Ato janë kthyer në një problem mjaft serioz për banorët e Shijakut. Mbeturinat jo vetëm kanë mbushur kontenieret, por edhe trot8urat, duke bërë që banorët ta kenë të pamundur të shfrytëzojnë rrugën. Mbeturinat kundërmojnë erë të keqe dhe të padurueshme, si dhe mbajnë shumë insekte.”, tha gazetarja Bezat.
Më tej, gazetarja deklaroi se vijon të mos merret asnjë masë, për shkak se mungon një marrëveshje mes Bashkisë së Shijakut dhe Landfillit të Sharrës. Sipas këtyre burimeve, vetë bashkia e Shijakut kërkoi zyrtarisht t’i vihet në dispozicion një aktmarrëveshje depozitimi. Aktmarrëveshje mes palëve u bë sipas kërkesës së saj, por tani është vetë bashkia që nuk e firmos.

Ndërkohë, të ndodhur mes kësaj katastrofe, qytetarët kanë ndërhyrë vullnetarisht, duke i marrë mbetjet dhe duke i hedhur në një zonë jo larg Shijakut, në Shilorje, dhe duke ju vënë flakët. Kështu, ata kanë shtuar edhe më shumë ndotjen, duke krijuar një situatë alarmante edhe në Shilorje dhe duke rrezikuar edhe banorët e kësaj zone.

Nga ana e Bashkisë vijon të mos bëhet asgjë për pastrimin e qytetit, e cila ndonëse e ka pranuar problematikën, thotë se shkak për këtë situatë është mungesa e marrëveshjes, për të cilën punohet, por që do kohë të përpilohet.

Duke folur për mikrofonin e “News24”, qytetarë të ndryshëm të Shijakut deklaruan se janë shumë të shqetësuar për këtë situatë.
Qytetarja 1: Katastrofë! S’ka tjetër gjë, vetëm mbeturina. Të dëgjosh erë të keqe çdo ditë, si të mos shqetësohesh.
Qytetarja 2: Ne po rrimë me maska në hundë. Nuk është mirë, gjynah për ne, për fëmijët. Më vjen për të qarë.
Qytetari 1: Na shqetëson situata, ka infeksion.
Qytetari 2: Përpara vinin e i pastronin. Tani është skandal.

Marre nga BW

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?