Jo rithemelim – reformim të ideve, programit e strukturave të PD-së!

Shkrime
Enver Bytyçi
Dje u mbajt Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Profesor Mark Marku ishte më i spikaturi ndër diskutantët. Ai kërkoi një Parti Demokratike tjetër. Madje foli për riithemelim të saj.
Pajtohem me shumicën dërmuese të ideve dhe propozimeve të tij. Por nuk pajtohem me idenë e riformimit të Partisë, madje përmes një komisioni nismëtar. Ky koncept më ngjan si ide revolucionare. Sipas tij “Hajde t’ia nisim nga e para”! Këtë nuk e pranojnë as partitë me programe revolucionare. E djathta dallohet nga revolucionarët majtistë për shkak se bazohet në procese evolutive, reflektuese dhe përvojën e së shkuarës e përdor si mjet për suksesin e të ardhmes!
Rithemelim të njëmendtë nuk bëri as Partia e Punës në qershorin e vitit 1991. Thjesht ndryshoi programin dhe anëtarët e Byrosë Politike u larguan për të dërguar në këtë parti bijtë e tyre! Se ajo e pranon revolucionin për t’iu imponuar të tjerëve, por jo vetes së saj!
Po a duhet të ndryshojë Partia Demokratike në kushtet e ndryshimeve politike?! Sigurisht që po. Megjithatë, si në kohën kur PD u themelua edhe sot ajo përballet më një regjim! Prandaj nuk shkon rithemelimi edhe sa i përket përmbajtjes dhe ndryshimeve të rrethanave politike e shoqërore në vend.
Rithemelimi do ta ngurtësonte PD-në. Do ta bënte më sektare, më të mbyllur. Ndërkaq ajo ka nevojë për hapje. Ka nevojë për struktura të qëndrueshme e të forta. Ka nevojë për guxim në vendimmarrje. Ka nevojë për energji të reja në funksionet drejtuese dhe një komunikim më intensiv me anëtarët e saj për të ndërgjegjësuar ndryshimin, hapjen dhe pranimin e realiteteve të reja.
Partia Demokratike ka nevojë për program të ri, për qasje të re, për hapje të pakushtëzuar. Kushti dhe kriteri i vetëm është e duhet të jetë lufta kundër regjimit autokratik të Edi Ramës! Pra ballfaqimi i ideve të lirisë e demokracisë me alternativën autokratike të regjimit të sotëm në Shqipëri!
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?