Gjykata në Hagë dënon bashkëpunëtorin e Baton Haxhiut

Rajoni

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë i ka dënuar me nga 12 vjet burgim dy ish-shefa të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, të akuzuar për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Të dënuarit janë Jovica Stanishiq, 70 vjeç, ish-shef i shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, 71 vjeç.

Stanishiqi, njihet në publikun shqiptar si mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor i gazetarit Baton Haxhiu.

E pas këtij dënimi, Haxhiut i ka ardhur ngushëllimi i parë!

Profesor dr. Enver Bytyçi ka ngushëlluar Batonin publikisht.

Përmes një postimi në Facebook, Bytyçi shkruan se Haxhiu ka thënë se me Stanishiqin kanë dëshiruar që ta shpëtojnë Kosovën.

“Ngushëllime Baton!

Baton Haxhiu na ka thënë se me Stanishiqin donte ta shpëtonte Kosovën! Nuk e di pse ai nuk dëshmoi në Hagë në favor të Stanishiqit, që t’ia lehtësonte dënimin!

Në fund të fundit Batoni vetë ka thënë “S’kemi çfarë dënimesh të kerkojmë kundër serbëve tash pas 20 vjetësh”! Prandaj duhej t’ia jepte një dorë mikut të tij besnik, Jovica Stanishiqit!

Ngushëllime Bato!”, ka shkruar profesori.

Ndërsa, duhet theksuar se Prokuroria në Hagë kishte kërkuar dënim të përjetshëm, për dy serbët ndërsa mbrojtja, lirimin e tyre.

Grupet paraushtarake, të udhëhequra nga ta, kanë përfshirë njësitë elitare, të quajtura Beretat e Kuqe dhe Tigrat e Arkanit.

Të dyja njësitë dyshohet se kanë vrarë qindra njerëz.

Gjykata në Hagë ka liruar Stanishiqin dhe Simatoviqin nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin 2013.

Por, pas protestave dhe apelit të prokurorëve, gjykatësit kanë urdhëruar në vitin 2015 rigjykim të rastit kundër tyre.

Rigjykimi ka nisur në vitin 2017.

Të dy të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, të tilla si: përndjekjet, vrasjet, dëbimet dhe transferimet me forcë.

Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili ka luftuar luftëra në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Millosheviq është gjykuar po ashtu në Hagë, por ka vdekur përpara se t’i shqiptohej dënimi, në vitin 2006./bota sot/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?