Konfiskohen pasuritë e Moisi Habilajt

Aktualitet

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK, duke vendosur sekuestro ndaj disa pasurive të të Moisi Habilajt dhe familjarëve të tij.

Bëhet fjalë për një ndërtesë me sipërfaqe 580 metër katror, 7 apartamente, një garazh, një truall me sipërfaqe me 580 metër katror dhe të tjera prona të paluajtshme të luajtshme. Janë 22 pasuri që sipas autoriteteve kapin vlerën 82 440 285 lekë të reja, (mbi 824 milionë lekë të vjetra).

Pasurite e konfiskuara

Moisi Habilaj, i dënuar në mungesë nga drejtësia italiane dhe shqiptare, ndodhet në kërkim policor, bashkë me të vëllanë Florian Habilaj.

Dënimet në Shqipëri dhe Itali

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi në muajin Maj se shpalli fajtor Moisi Habilajn dhe tre prej anëtarëve të tjerë të bandës së tij për akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Moisi Habilaj u dënua me 15 vjet heqje lirie, ndërsa Nezar Seiti, Maridjan Sulaj dhe Fatmir Minaj me nga 13.6 vjet secili. Për të katër të dënuarit është aplikuar gjykimi i shkurtuar dhe ata do të përfitojnë uljen e e 1/3 së dënimit.

Dënimet për katër të pandehurit u dhanë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, në tentativë, kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, etj., parashikuar nga nenet 283, 283/a/1-22, 28/4, 333/a K.Penal. Në janar 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet për nëntë të akuzuarit e organizatës së trafikimit të lëndëve narkotike, por për pesë prej tyre vazhdon ende gjykimi. Të pandehurit u akuzuan se në një hark kohor disavjeçar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë trafikuar kanabis drejt Italisë.

Moisi Habilaj, u dënua më parë me 15 vjet heqje lirie në Itali, po për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Drejtuesi tjetër i bandës, italiani Antonino Riela u dënua me 14 vjet burg ndërsa Meridian Sulaj mori tetë vjet e katër muaj e Nezar Seitaj u dënua me shtatë vjet e pesë muaj burg.

Organizata e Habilajve bëri bujë në arenën politike shqiptare në tetor 2017, pasi publikimi i dosjes italiane ekspozoi lidhjen e tyre me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Edhe pse Tahiri u akuzua nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ai u dënua nga gjykata me 5 vjet burg për shpërdorim detyre. Paralelisht me Tahirin u shpall fajtor edhe Jaeld Çela, ish-drejtues i policisë së Vlorës. Në qershor të vitit 2020, Gjykata e Posaçme e Apelit e prishi vendimin duke e cilësuar të gabuar rikualifikimin e akuzës për ish-ministrin Tahiri dhe e ktheu për rigjykim. Por, pas rekursit të ushtruar nga Tahiri dhe Çela në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit pranoi ta kalojë çështjen për shqyrtim.