U mbyll si spital COVID, “Shefqet Ndroqi” i rikthehet normalitetit!
Spitali i Sanatoriumit “Shefqet Ndroqi” i është rikthyer normalitetit, dy javë pasi u mbyll si spital COVID.
Që prej ditës së djeshme, spitali i Sanatoriumit konsiderohet i rikthyer plotësisht në funksion, duke hapur dyert për të sëmurët e parë me sëmundje të mushkërive. Mësohet se Sanatoriumi ka pritur 15 pacientët e parë me sëmundshmëri të ndryshme të pulmonit, të cilët janë shtruar në spitalin e boshatisur prej dy javësh.
Po ashtu, klinika pneumologjike e transferuar në QSUT që prej nisjes së pandemisë do të vijojë të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit qershor në ambientet e ish-spitalit Covid-3.
Spitali “Shefqet Ndroqi” u mbyll dy javë më parë si spital COVID, për shkak të uljes së rasteve me koronavirus.