Dritan Leli letër Këshillit Bashkiak: Po shkelni ligjin, të zhvillohet online!

Aktualitet

Krue i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i është drejtuar sot me një letër Këshillit Bashkiak, i cili do të zhvillojë sot një mbledhje jashtë radhe, që pritet të nisë në orën 10:00.

Mbledhja është kërkuar nga vetë Këshilli Bashkiak, i cili ka theksuar se ajo do të mbahet në  teatrin “Petro Marko”, por në letrën e tij, kryebashkiaku Leli sjell në vëmendje masat anti-Covid, duke iu bërë kështu të qartë këshilltarëve se po shkelin rregullat.

foto galeri

Në letër, Leli shkruan mes të tjerash se “Me veprimet e mësipërme, ju si organizatorë të kësaj mbledhje, jeni duke shkelur ligjin 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ku jemi të detyruar të sjellim në vëmendjen tuaj se bazuar në nenin 3 pika 2 të aktit normativ nr.3/2020, subjektet apo individët që organizojnë ndër të tjera dëgjesa publike dënohen me gjobë në masën 5.000.000 lekë”.

Për këtë, Dritan Leni vijon “Në respekt të ligjit dhe të masave në fuqi për të parandaluar përhapjen e Covid-19, theksojmë sikundër jemi shprehur më parë se mbledhja jashtë radhe e Këshillit të Bashkisë Vlorë duhet të zhvillohet virtualisht (online)”.

foto galeri

“Lidhur me mbledhjen e ditës së sotshme kërkuar nga një grup këshilltarësh bashkiak, më poshtë do të gjeni të gjithë komunikimin zyrtar që kam zhvilluar me Këshillin Bashkiak, për mbledhjen e kërkuar prej tyre për t’u zhvilluar në teatrin Petro Marko. Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, shkruan në “Facebook” Leli, përbri letrës drejtuar këshillit.

foto galeri