Si u shpërndanë 926 milion lekë “të tërmetit” në Durrës para 25 Prillit
Çdo krizë është edhe një mundësi” ka qenë një parim ky, që kryeministri Rama e përsëriste vazhdimisht në fjalimet për tërmetin e 26 nëntorit të vitit 2019, që la pas dhjetëra të vdekur dhe qindra godina gërmadhë. Se çfarë mundësie mund të shihnin tek tërmeti ata që humbën familjarët është e vështirë të kuptohet.
Në fakt siç tregoi koha, shprehja “në çdo krizë, një mundësi” në radhë të parë qe një mesazh për socialistët e zonave ku kishte rënë tërmeti si në Durrës, në Laç, në Thumanë, në Tiranë etj.
Një mundësi që u jepej atyre të ndikonin në votën e 25 Prillit duke përdorur tërmetin dhe pasojat që la ai në shtëpitë dhe pallatet e tyre.
Më herët është raportuar se shuma të mëdha parash u shpërndanë nga Bashkitë e prekura nga tërmeti gjatë periudhës para zgjedhjeve.
Lexo edhe: Para në bankë para votimeve, si u shpërndanë 40 milionë euro te mijëra familje (VIDEO)
Por një denoncim i depozituar në KQZ nga Instituti Shqiptar i Shkencave (LEXO KETU) ka zbërthyer skemën e shpërndarjes së parave para 25 Prillit në Durrës, duke shpjeguar se si u falën 926 milion lekë për të ndikuar votimet e 25 Prillit.
Denoncimi zbulon hap pas hapi koordinimin e qeverisë dhe të bashkisë së Durrësit për të dalë në përfundimin se shuma prej 926 milion lekësh u nda për gati një muaj, pasi ishin shpërfillur kriteret më elementare të shpërndarjes së parave për pasojat e tërmetit.
1) Krijimi i një fondi ekstra nga Qeveria për Bashkinë e Durrësit
Pa Akt Normativ me fuqi Ligji, pa ndryshim ligjor të Tabelave që Shoqërojnë Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit dhe duke cënuar parashikime të Ligjit ‘Për Buxhetin e Shtetit” dhe Kodin Zgjedhor krijohet në datën 25 Mars një Fond për Transfertë të Pakushtëzuar në vlerën 926 milion e 449 mijë e 664 lekë për Bashkinë Durrës. Skema nis zbatimin direkt nga nivelet më të larta të qeverisjes.
2) Këshilli bashkiak Durrës vendos për shpërndarjen e parave tek familjet
Në datën 31 Mars, Këshilli Bashkiak Durrës me vendimin Nr. 43, vendosi që këto para të shpërndahen si Transfertë tek Individët, pra si para “cash” dhe jo të përdoren për riparimin e dëmeve. Por në vendim iu dha njësoj prioritet si individëve me dëmtime të lehta si DS1, DS2 dhe DS3 ashtu edhe grupeve më të dëmtuar të kategorizuar si DS4 dhe DS5 (këta të fundit totalisht pa banesë). Më pak në numër përfituesish sikurse më pak në numër votuesish, raporton AIS.
3) Listat për shpërndarjen e parave, ndryshuan përfitimet nga 100 deri 500 mije lekë
Instituti Shqiptar i Shkencave nga monitorimi i punës së Këshillit Bashkiak të Durrësit ka vënë re se pas hartimit të listave për shpërndarjen e parave, 9 ditë para zgjedhjeve, vlerat e kompensimit ndryshuan.
“Vetëm 9 ditë përpara zgjedhjeve janë miratuar ndryshime dhe shtesa vlerë përfitimi, nga Niveli i dëmtimit DS1 në DS2 apo DS3. Pra për disa individ nga 100 mijë lekë granti i 2 rindërtimit shtohet në 500 mijë Lekë, (VKB Nr. 46, datë 14.04.2021 dhe VKB Nr. 51, datë 14. 04.2021) 8 Bashkia Durrës në data te fushatës zgjedhore ka urdhëruar dhe ekzekutuar përmes Thesarit Transferta tek Individët në vlerën 744 469 274 Lekë” thuhet në denoncim.
Transfertat janë urdhëruar kryesisht në datat 12 deri 24 Prill, ose ndryshe 16 muaj pasi kishte rënë tërmeti.
4) – Shpërndarja e parave gjatë fushatës, tre herë më e lartë
Bashkia Durrës ka dhënë në total rreth 4.1 miliard lekë për individët dhe bizneset pas tërmetit, me një mesatare mujore prej 245.9 milion. Kjo mesatare është tre herë më e vogël se pagesat e ekzekutuara gjatë fushatës së 25 Prillit.
Ndërkohë pas zgjedhjeve, nga 25 prilli deri në 25 Maj, Bashkia Durrës, për këtë fond ka dhënë vetëm 3 milion lekë të vjetra. Kjo tregon qartë synimin dhe përqendrimin e shpërndarjes së parasë në fushatë, për qëllim favorizim subjekti zgjedhor në pushtet, shkruhet në denoncim.
5) Lënia në harresë e familjeve që kishin më shumë nevojë
Bashkia Durrës paguan çdo muaj bonus qiraje për personat që kanë mbetur pa banese nga tërmete. Por nga paratë që u shpërndanë në fushatë, përfituan ata që kishin pësuar më pak dëmtime, ose aspak, ndërkohë që nuk kishte marrë zgjidhje problemi i banorëve që janë totalisht pa bënesë.
Sipas denoncimit, rezulton se u trajtuan njësoj, si ata që kanë mbetur pa asnjë banesë, si ata të cilëve iu dëmtua banesa e parë, ashtu edhe ata që kishin një banesë të dytë për pushime.
Denoncimi drejtuar Kryekomisionerit për Zgjedhjet Ilirjan Celibashi është hartuar nga Instituti Shqiptar i Shkencave (në vijim AIS), që është një organizatë jofitimprurëse dhe ka për objekt të veprimtarisë së tij, ndër të tjera, zbatimin e legjislacionit zgjedhor në Republikën e Shqipërisë dhe respektimin e standarteve ndërkombëtare për zgjedhjet në vend. Një ndër fushat kryesore të aktivitetit të AIS janë çështjet e financimit fushatave zgjedhore dhe më specifikisht të mospërdorimit të burimeve dhe aseteve të shtetërore në zgjedhje në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin dhe/ose standartet më të mira ndërkombëtare.
Në total, në të gjithë Shqipërinë, nga data 25 Mars – 25 Prill 2021, qeveria ka shpërndarë për Bashkitë e dëmtuara, përmes Fondi Rindërtimit para “cash” në vlerë 8.5 miliard Lekë ose rreth 69.1 milion Euro.©Lapsi.al