Vrasja e Klodian Rashës, VV: Të arrestohet Ardi Veliu, manipuloi provat

Aktualitet

“Nuk ka drejtësi për Klodianin me Ardi Veliun e lirë dhe në krye të Policisë”, thuhet në një reagim të VV-së dega Shqipëri, një ditë pas publikimit të videos së plotë, ku duket qartazi ekzekutimi i të riut nga një efektiv policie.

VV thekson se në media u publikuan pamjet filmike të një prej kamerave të sigurisë në vendngjarjen e vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga ish-efektivi i policisë Nevaldo Hadëraj mesnatën e 8 dhjetorit 2020.

Video tregon se Klodiani as nuk kishte armë, as nuk e ka sulmuar fizikisht efektivin e policisë, por është goditur me armë zjarri nga efektivi i policisë nga pas shpine duke u larguar prej tij.

Sipas VV, në ditët pas krimit, kupola drejtuese e Policisë së Shtetit me në krye Ardi Veliun, u përfshi në manipulimin e opinionit publik mbi të vërtetën e ngjarjes, përmes deklaratave që inkriminonin 25 vjeçarin e ndjerë.

“Por për videon e publikuar ditën e djeshme nuk ka mundësi që organet ligjzbatuese të mos kenë qenë shumë më herët në dijeni, prej muajit dhjetor. Kjo veçse e rëndon pozitën e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, duke e faktuar tashmë se ka konsumuar një krim institucional përmes mashtrimit publik mbi të vërtetën e vrasjes së Klodian Rashës. Kjo ngjarje e rëndë ishte një prej episodeve që dëshmojnë instalimin e elementeve të shtetit policor në Shqipëri.

Në vend të shkarkimit të menjëhershëm të kryepolicit të inkriminuar Ardi Veliu dhe hetimit të tij, Kryeministri Edi Rama u mjaftua atë kohë me dorëheqjen e ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ndërkohë që ndaj protestave qytetare që kërkonin edhe shkarkimin e të parit, Policia e Shtetit vijoi të ushtronte për 6 ditë me radhë dhunë fizike, gaz lotsjellës dhe arrestime.

Më 11 dhjetor 2020, Qeveria e thelloi më tej mashtrimin dhe aktin e fshehjes së krimit të nisur nga kryepolici Veliu, duke e shpallur vrasjen “aksidentale” përmes një VKM-je absurde me synimin e paragjykimit të vendimit të procesit gjyqësor si formë presioni ndaj drejtësisë, para së cilës gjendet tashmë i pandehur efektivi Nevaldo Hadëraj”, thuhet në reagimin e VV.

Në deklaratë thuhet se thirrja “Drejtësi për Klodianin” është aktuale përderisa ende drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë i inkriminuar, dhe ndaj tij nuk kanë nisur hetime.

“Prej publikimit të materialit filmik ditën e djeshme, për publikun e gjerë është bërë edhe njëherë e qartë se Policia e Shtetit, me deklaratat e saj kundërthënëse, ka tentuar ta mbulojë krimin dhe të manipulojë opinionin publik. Këto akte përbëjnë krim institucional të Policisë. I dyshuari kryesor për këtë krim institucional është kryepolici Ardi Veliu. Ndaj përsëritim kërkesën publike bërë më 10 dhjetor 2020: Prokuroria të lëshojë menjëherë urdhërarrestin për këtë zyrtar të kriminalizuar që drejton Policinë e Shtetit dhe ai të vihet përpara drejtësisë”, thuhet në deklaratën e VV./ boldnwes/

0 0 votes
Article Rating
Total 2 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments