Ankesat e partive për rezultatin e zgjedhjeve, KAS shqyrton kërkesat, LSI
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen sot zyrtarisht për të shqyrtuar ankesat e disa partive, përfshirë Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, për 9 qarqe. PD-AN dhe LSI kërkojnë rishikim të rezultatit në 9 qarqe.
Fjalën e mori i pari përfaqësuesi i LSI në KAS, Altin Kaziaj, i cili mori si shembull rastin e kandidatit Vangjel Tavo në Gjirokastër. Sipas LSI, vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të ndaluar hyrjen e emigrantëve kishte si qëllim goditjen e LSI, ndërsa theksoi se LSI në Dropull do të ishte forcë e parë.
Por në çfarë faze është tashmë procesi pas 25 prillit?
Pas humbjes së opozitës në zgjedhje, Partia Demokratike, LSI, koalicioni ABEOK dhe kandidatët e Vetëvendosjes nuk njohin rezultatin e zgjedhjeve. PD-AN ka dorëzuar 10 dosje voluminoze në KAS ku sipas saj faktohet tjetërsimi dhe manipulimin e votës së qytetarëve në 9 qarqe të vendit duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme dhe rivotim në këto zona. Partia Demokratike ka ankimuar në KAS rezultatin për 9 qarqe konkretisht për Shkodër, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Fierin, Beratin, Gjirokastrën, Korçën dhe Vlorën. PD i quan këto zgjedhje si një masakër elektorale të treshes Rama-Doshi-Rakipi.