Fuga: I shitëm votat nga budallalliku dhe majasëlli i tepërt

Aktualitet Shkrime

 Akademiku Artan Fuga ka komentuar zgjedhjet shit-blerjen e votës në zgjedhjet e 25 prillit. Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Fuga shkruan se votat i shitëm për shkak të budallallëkut dhe vuajtjes. Sipas profesorit, modeli i ekonomisë sonë është kolesteroli, majasëlli, diabeti dhe hernia fiskale.

“Ik me gjithë vota, jam ulur pas banakut si Buda! Ku voton më Buda”, shkruan Fuga ndër të tjera me nota ironie.

 Shkrimi i Artan Fugës:

Majasëll, Kolesterol, Diabet. Na mbyti si komb kolesteroli, diabeti, hernia discale, majasëlli!

Vijnë nga modeli ekonomik i vendit. Rrinë qindra e mijëra burra e gra pas banakut për të shit pak trahana, pak oriz, ndonjë kek, e ndonjë copë djath kur hyn një klient në dy orë, dhe blen varfërisht!

Kam biznes të vogël – thotë. Pooooooo? E ke vëlla, e ke! Ngopu me fjalën se “jam biznesmen”.

Pas banakut ul gjithë ditën në vend të ishte në një vend pune që të krijonim vlera, dritë, makineri, dije. Rrimë te banaku! Vjen berberi dhe më qeth, kamarieri përballë më sjell kafen, noteri se çfarë sheh në ca rregjistra të mykur!

U mykëm duke ndejtur ulur. Barku kërcyer mbi pantallona, kopsat e këmishës po shqyhen, pa rruar, se ç’të rruhesh, për cilin? Votimet mbaruan! Votat i shitëm aq sa vlenin! Nga budallalliku dhe nga majasëlli.

Ik me gjithë vota! Unë jam ul pas banakut, si Buda! Ku voton më Buda! I kanë ikur të gjitha dëshirat!

Majasëll, kolesterol, diabet – ja modeli i ekonomisë sonë popullore!

Ruaj vendet e punës – thotë!

Punë është kjo mooooooooo?