Skerdjan Dhuli/ Në luftë, gjenerali nuk preket.

Aktualitet Politike

Një e pathënë e një rrugë bashkë

Diku marsin e 2016 në një takim me Lulzim Bashën në ambientet e punës time, mora guximin ti them se partia ime që e drejton ai, duhej reformuar rrënjësisht. E aty në bisedë sigurisht erdhën natyrshëm edhe emrat që sipas meje duhet të “hapnin krahun” për atë që unë e quaj shpëtimin e një partie politike, qarkullimin e elitave.

Një parti politike që nuk bën qarkullim elitash është e destinuar të kalbet nën mykjen e saj dhe bashkë me të edhe shpresat e shoqërisë për evolim të saj. Ajo që është partia sot, do jetë qeveria nesër dhe nga kjo varen edhe fatet e vendit. Edi Rama është i zi sterrë në qeverisje sepse në parti afroi llumin e shoqërisë. Kur mbledh vota me krimin, mos prit që ligjet ti hartojnë akademikët. Shoqëria evolon dhe kërkon që njëjtë me të të evolojë edhe politika, ku përveç programit duhet edhe elitë e re që ti përgjigjet kohës. Natyrisht kryetari e kundërshtoi idenë time me argumentin se “secili ka karrierën dhe investimet e tij në politikë…”. Sigurisht që si atëkohë e njëjtë dhe sot, nuk i kërkova asgjë për vete. Mos u çudisni por është kështu. Nuk i kërkova të isha pjesë e listës në 2017 e nuk ja kërkova të isha as në 2021 e sigurisht që në asnjërën prej rasteve nuk u mërzita (pavarësisht se egoja njerëzore e bën vetiu pyetjen: a është X më i mirë se unë?) sepse unë besoj se qarkullimi i elitave nuk bazohet tek unë si person po tek unë si brez politik.I kam thënë në çdo kohë se “nëse mendon se të duhem dhe se jam i duhuri për atë që ti mendon, këtu jam…

“Në 2017 kur u bë lista e deputetëve të PD, nuk e fsheh (nuk e kam fshehur asnjëherë) që ndjeva një lloj kënaqësie që ideja ime (jo se ishte imja por se ishte e duhura) gjeti zbatim disi. Them disi sepse të jem i sinqertë e prisja më radikale. Gjithsesi… çështje pritshmërish dhe konceptesh kjo. Dikush rrufeshëm do thotë se ndoshta mënyra nuk ishte e duhura kur vjen fjala tek komunikimi i vendimit për ti larguar disa ish zyrtarë të lartë nga lista e deputetëve por absolutisht e mbeshtes vendimin, madje siç thashë dy fjali më sipër, i qëndroj ende idesë që duhej më e thellë ndërhyrja. Vetëm se ka diçka. Të larguarit nga deputet nuk nënkupton largimin nga partia. Kontributi i cilitdo është i çmuar por në ekip ka gjithmonë vend për freskim. Unë besoj se kush është larguar nga PD, do dhe duhet të rikthehet, me një përjashtim:

Të mos rikthehen si deputet. PD nuk është vetëm karriget e 59 deputetëve në Kuvend.A është Lulzim Basha i pagabueshëm ? Nëse një ditë do them se JO, ata që më njohin duhet të më gjuajnë me gurë. Kush e thotë këtë, dijeni se është ose servil, ose budalla. Të parët e ndryshojnë qëndrimin në raport me interesin, si disa këto ditë. Të dytët nuk i duhen as dreqit.Njëjtë si çdo human mbi tokë edhe Lulzim Basha është i gabueshëm. Por politika, sipas meje gjithmonë, një nga asetet e çmuara në raport me publikun dhe votuesin ka koherencën. Nuk mundet që dje ta mbështesësh në atë që e quan gabim e sot të thuash “isha kundër por thashë PO se ashtu deshi partia…”Partia je ti, unë, secili nga ne që prej orëve të para (prindërit dhe familjarët tanë) e ne sot, e mbajmë në këmbë. Partia nuk janë muret e selisë. As oborri nën hijen e pishave krah Xhamisë së Namazgjasë. Sot ne gjendemi në një situatë ku rezultatet e zgjedhjeve ishin më shumë inxhinierike sesa politike.

A ka faj Lulzim Basha që nuk e ndali dot inxhinierinë kriminale të blerjes së votës dhe represionit qeveritar e administrativ më një pjesë të popullsisë ? Nuk e di. Ende nuk e kam një terapi sesi ndalet kjo, ose ndoshta ajo që unë shoh si zgjidhje nuk është e pranueshme sidomos nga ndërkombëtarët që nuk lënë rast pa e mbajtur nën presion PD. Nuk ka mundësi që zgjedhjet të jenë të blera, rë grabitura me sistem, të marra me banda kriminale e votat të bëra rrush e kumbulla të shtunën para zgjedhjeve kur zbrazeshin milionat për të blerë vota e njëkohësisht të thuhet se fajin e ka Basha. Si dilet ? Sipas meje këto zgjedhje nuk duhen njohur për asnjë arsye. Dokumentimi dhe publikimi i masakrës elektorale duhet të jetë detyra jonë primare edhe në respekt të gjithë demokratëve që në këtë fushatë nuk reshtën së punuari dhe përballur me një juntë në pushtet. E paralel me to, ne duhet të nisim një cikël të qarkullimit të elitave, një kopje e KOP dikur (e kemi dhe me status partie) ku të tërheqim e të nxjerrim në pah më të mirët ndër ne të studiuar jashtë vendit ose të rinj cilësorë që i kemi në gjirin tonë por që jo gjithmonë kanë gjetur hapsirën e nevojshme. Shoqëria kërkon ti servirim më të mirët, më të pastrit në imazh e moral, më dinjitozët, më besnikët (por jo servilë kokëboshë) e më cilësorët sa i takon kërkesave që shoqëria ka.

Unë besoj se ja dalim.
Lulzim Basha nuk ka rënë nga qielli, po ndër ne momentalisht është i duhuri.
Në luftë, gjenerali nuk preket.

5 1 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments