Arta Dade flet për humbjen e Bashkim Finos

Aktualitet

Mars, 30/2021

Ish-deputetja Socialiste Arta Dade ka folur mbi ndarjen nga jeta të deputetit të Partisë Socialiste, Bashkim Finos.

Dade tregoi se lajmin e hidhur e kishte marrë në mëngjes dhe ishte në dijeni të gjendjes së tij shëndetësore.

Ndër të tjera Dade rrëfeu dhe lidhjen e ngushtë që ai kishte me të ëmën e cila është ndarë nga jeta tre muaj para të birit.

“E mora lajmin në mëngjes. E dija që ishte pa qejf. Kam komunikuar në Janar kur e ngushëllova për humbjen e nënës. Të paktën e ëma nuk e mori këtë lajm të hidhur. Bashkimi ishte rritur jetim dhe e ëma e kishte lidhur jetën me Bashkimin.

Më erdhi në kujtesë zëri i saj kur Bashkimi mori përsipër detyrën e vështirë për të drejtuar vendin në krizën më të thellë që ka pasur vendi. Me Bashkimin jemi njohur prej 30 vitesh. Ai ishte kryetar i Bashkisë së Gjirokastër”- tha Dade për “Abc News”.

Dade shton se Bashkim Fino ishte nga ata persona të cilët kanë kontribuar shumë për Partinë Socialiste.

“Bashkim Fino nuk ishte nga ata që vetëm mori nga PS. Kjo është një marrëdhënie. Fino më shumë i dha PS-së se sa mori”- shton ajo.

Fino humbi jetën ditën e djeshme pasi ishte infektuar nga Covid-19. Të shumtë ishin ata politikanë , zyrtarë miq dhe kolegë të cilën përcollën ngushëllimet për ndarjen e pare papritur nga jeta të deputetit socialist.