Balla/ Po të kishte qenë Rama kryeministër para 2013, Shqipëria sot do ishte në BE

Aktualitet Politike

Mars, 26/2021

Ditën e sotme drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Kuturman në Librazhd.

Ai u shpreh se është i papranueshëm fakti që opozita të shesë si ndryshim rikthimin e Metës dhe Berishës në pushtet.

Sipas Ballës, të dy këto figura politike po tentojnë të pengojnë me çdo kusht të pengojnë Reformën në Drejtësi.

“Ta shtojmë edhe më tej përfaqësimin e Librazhdit. Ta ngrejmë edhe në një nivel që nuk e kemi patur ndonjëherë. Jam shumë i sigurt që në i kemi të gjitha mundësitë që në këto zgjedhje të vazhdojmë të ecim përpara me Edi Ramën. Është e papranueshme që pas 30 vitesh, PD dhe LSI të na shesin për ndryshim rikthim tek Sali Berisha dhe tek Ilir Meta. Ju e kuptoni qartë sepse Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë bashkë.

U bënë bashkë në vitin 2016 për të prishur koalicionin me Partinë Socialiste, Ilir Meta, sepse duhej penguar me çdo kusht Reforma në Drejtësi. Këto janë gjëra që në na duken të vështira, por janë gjëra për të cilat ne duhet të luftojmë të gjithë për t’i lënë Shqipërisë mundësinë që të vazhdojë në këtë rrugë, që djemtë dhe vajzat e Kuturmanit kudo që janë nëpër botë të ndihen si shtetas të Bashkimit Europian”, deklaroi Balla.

Më tej ai shtoi se nëse Edi Rama do të kishte qenë Kryeministër më përpara se viti 2013, Shqipëria sot do të ishte anëtarë e Bashkimit Europian.
“Nëse Edi Rama do të kishte qenë Kryeministër i Shqipërisë, jo në 2013, por më përpara, sot Shqipëria do të ishte anëtare e Bashkimit Europian, kjo nuk ka asnjë dyshim. Ju jam mirënjohës gjithë jetën për gjithë këtë mbështetje dhe dua t’ju bëj një thirrje të gjithëve. Na duhet që kësaj radhe më 25 prill t’i lëmë mënjanë të gjitha dallimet politike, por të votojmë për përfaqësimin më të lartë në histori të Librazhdit”, përfundoi Balla.