Sherri Boçi-Luca/ Rama: U grushtua një punëkrijues i madh
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar sërish grumbullimet në takimet elektorale të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nga Elbasani, Rama është shprehur se ata do të respektojnë rregullat, duke i cilësuar si papërgjegjshmëri atë që ndodh në krahun tjetër politik.
“Del mbi veturë dhe përshëndet dasmorët klitharë me dy gishta, pa marrë parasysh se kështu rrezikohet shëndeti i tyre dhe familjeve të tyre. Lufta me armikun e padukshëm është sfida e sfidave. Largimi i virusit nga jetët tona është sfida e sfidave. Ne jemi të super angazhuar si qeveri për të garantuar rritjen e përditshme të numrit të vaksinimeve. Por kjo duhet të shkojë paralel me respektimin e rregullave. Është papërgjegjshmëri dhe nuk duhet ta bëjë këtë një forcë politike që ofrohet si alternativë qeverisës. Ky skuthllëk është tipar i lidershipit të tyre dhe i politikës së tyre. Ne do të vazhdojmë të respektojmë rregullat, do të gjejmë mënyra për të angazhuar njerëzit, por nuk do të biem pre e turmologjisë”, tha Rama.
Gjithashtu, kreu i qeverisë ka reaguar për përleshjen fizike mes kandidatit të PD, Luçiano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca. Rama e ka cilësuar Boçin si grushtues, ndërsa Lucës i referohet si punëkrijues i madh. Kryeministri u shpreh se nëse “grushtuesi i sipërmarrësit të madh do të kishte qenë cilido nga ne, ata do të kishin vënë kujën”.
“E pamë në Elbasan dhe ju ftoj ta imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi, i një punëkrijuesi të madh, të kishte qenë cilido prej nesh, prej djemve dhe burrave që janë këtu në tavolinë, grabitësi i telefonit të tij të ishte Taulanti, apo Luani, cilido qoftë, çfarë do të ishte bërë. Sa email-e dhe telefonata, e lumenj do kishin derdhur nëpër Evropë dhe sa do të kishin vënë kujën. Ne e kemi të qartë se janë të dëshpëruar se e kanë të qartë që nuk kanë mundësi të kenë një shans tjetër”, tha Rama.
Kreu i qeverisë harroi se telefoni ishte i ish-deputetit dhe se akuza për këtë ishte sajuar nga biznesmeni që sponsorizon takimet e Rilindjes.